Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn ndodhet sot në Tiranë, për fazën përgatitore të punës dhe atë të vlerësimit për hapjen e negociatave Shqipëri-BE.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Rama, Hahn tha se Shqipëria sapo ka marrë një vlerësim mjaft të rëndësishëm nga BE. Ai tha se Shqipëria duhet të vazhdojë me Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit etj.

“Përpjekjet duhet vërtetë të vazhdojnë për Reformën në Drejtësi, në mënyrë që Vettingu, që ne e mirëpresim shumë, të sjellë rezultate konkrekte për Shqipërinë. Nuk duhet nënvlerësuar se ky shihet si një lloj modeli për vendet e tjera dhe në këtë aspekt do isha mjaft i interesuar të shihnim rezultate pozitive që të shërbejë si shembull pozitiv për vendet e tjera. Ndaj unë përurova formalisht fillimin e procesit analitik, ose screening që duhet bërë me çdo vend dhe që do bëhet me vendet që do bëhen pjesë e BE në të ardhmen. Dua të vë në pah rëndësinë që ka i gjithë ky proces për të gjithë administratën, që të shtojë përpjekjen dhe të organizojë strukturën në një proces që do të jetë intensiv. Është e rëndësishme që të gjithë palët të japin maksimumin.”

Eurokomisioneri theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë kush të ri për Shqipërinë.“Ajo që po bëjmë është një proces i zhvilluar me çdo vend tjetër kandidat”, tha ai.