Teuta deri më tani ka bërë katër afrime dhe janë bërë kryesisht në mesfushë, ku janë afruar lojtarë si Ron Gashi, Florent Avdyli dhe Sherif Kallaku. Ndërkohë për linjën e majtë të mbrojtjes është marrë Edison Ndreca nga Besëlidhja.

Trajneri Bledi Shkëmbi synonte të afronte në ekip edhe Tefik Osmanin për qendrën e prapavijës. Korçari do të qëndrojë te Skënderbeu, por durrsakët nuk është se nuk kanë alternativa, pasi së fundmi është rikthyer edhe qendërmbrojtësi Dajan Shehi.

Futbollisti 21-vjeçar ishte dhënë në huazim te Hajduk Split, që ka vendosur të mos e blejë lojtarin e Teutës, që tashmë do t’i bashkohet durrsakëve për të dhënë kontributin e tij për sezonin e ardhshëm futbollistik.

Veç Shehit, stafi teknik në dispozicion do të ketë edhe Silvester Shkallën dhe kroatin Ante Hrkac. Ky i fundit ka edhe një vit kontratë me Teutën, ndaj edhe nuk mund të lëvizë, pavarësisht se ka pasur një ofertë nga Siroki Brijeg.

Kështu për Shkëmbin janë në dispozicion tre mbrojtës qëndrorë, por mund të afrohet edhe një lojtar tjetër.