Teuta ka zbritur në fushën e blertë një ditë më parë dhe trajneri Bledi Shkëmbi ka pasur nën urdhrat e tij një numër të konsiderueshëm lojtarësh. Gjithsesi ende grupi nuk është i plotë dhe pritet që në ditët në vijim të vihen në dispozicion të trajnerit korçar edhe Ante Hrkac dhe Latif Amadu, të cilët janë nën kontratë me durrsakët.

Pritet që së shpejti të ketë edhe lëvizje të tjera në merkato dhe fokusi kryesor është sulmi. Në seancën e djeshme kishte një risi. Sulmuesi Moustapha Enok Djidjiwa po testohet te Teuta. Ai nuk është i panjohur në vendin tonë, pasi ishte një nga afrimet e verës së shkuar te Partizani. Me të kuqtë luajti në pesë ndeshje dhe në janar u largua.

Sulmuesi 22-vjeçar nga Kameruni iu bashkua Erzenit dhe shënoi tetë gola në pjesën e dytë të kampionatit dhe tanimë kërkon sërish skenën e madhe me durrsakët. Djidjiwa do të shikohet nga afër prej trajnerit Shkëmbi dhe më pas ky i fundit do të vendosë nëse qëndron apo jo.