Teuta e ka vendosur se ku do ta zhvillojë fazën përgatitore dhe ashtu sikurse verën e shkuar, “Djemtë e detit” do të përgatiten në Itali. Klubi e ka zyrtarizuar diçka të tillë. Me shumë mundësi nga nesër durrsakët do të nisin përgatitjet në shtëpi, teksa para lojtarëve do të prezantohet edhe trajneri Bledi Shkëmbi së bashku me stafin e tij. Korçari ka pasuar në stol teknikun Gentian Begeja, i cili sezonin e ardhshëm do të jetë në krye të Besës së Kavajës. NJOFTIMI I KLUBIT TË TEUTËS – “Përgatitjet e verës në Itali.

Tashmë është zyrtare Teuta do të zhvillojë fazën përgatitore të verës në “Campo di Acquapartita”, Rimini. Gjatë përgatitjeve do të zhvillohet disa ndeshje miqësore që do t’i shërbejnë trajnerit Shkëmbi dhe stafit teknik për ‘kolaudimin’ e ekipit”, shkruan klubi durrsak në faqen zyrtare në “Facebook”. Mbeten për t’u përcaktuar detajet e fazës përgatitore: kohëzgjatja dhe ndeshjet miqësore, që pritet të jenë disa.

MERKATO – Deri më tani janë zyrtarizuar katër afrime te Teuta. Edison Ndreca është marrë nga Besëlidhja, Ron Gashi dhe Florent Avdyli te Liria e Prizrenit, kurse Sherif Kallaku nga Laçi. Gjithsesi edhe largimet kanë qenë në masë, ndaj edhe po punohet për t’u përforcuar edhe me disa elementë të tjetrë cilësorë. Për mbrojtjen synohet Tefik Osmani, ndërkohë që jashtë vendit po shihet për të gjetur një sulmues që t’u garantojë gola. Latif Amadu ka edhe një vit kontratë dhe me shumë mundësi do të mbetet pjesë e ekipit, por kërkohen të paktën edhe një tjetër lojtar për vijën e parë të ofensivës.