Një ngjarje e pabesueshme e denjë për skenarët e filmave triller. Babai i kapitenit të përfaqësueses së Nigerisë, John Obi Mikel, është rrëmbyer ndërsa djali i tij po luante në Kupën e Botës në Rusi. Atë çfarë ka ndodhur e zbuloi vetë futbollisti që luan në Kinë me Tianjin Teda.

Për fat të mirë, pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë dhe shkëmbimit të zjarrit me pengmarrësit, Pa Michael Obi dhe shoferi tij janë liruar pa pasoja shëndetësore. Obi Mikel falënderoi policinë për ndërhyrjen e saj profesionale, duke kujtuar se kishte kaluar një javë torturë.  Rrëmbimi kishte ndodhur katër orë para se të niste sfida me Argjentinën.

"Kam luajtur ndërsa babai im ishte në duart e rrëmbyesve. Më thanë se do ta vrisnin menjëherë nëse do të lajmëroja policinë apo do t’i thosha dikujt. Isha në shok psikologjik, nuk dija si të veproja. S’mund t’i braktisja 180 milionë nigerianë."

Pengmarrësit kishin kërkuar rreth 28 mijë dollarë. Mediat lokale kanë raportuar se ishte paguar shuma për lirimin e babait të Obi Mikel, por policia e ka përjashtuar këtë mundësi. Për këtë rast nuk ka raportime për të arrestuar.