Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian kanë vendosur të shtyjnë hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në vitin 2019. Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të ministrave të Jashtëm të BE-së. Mediat europiane raportojnë se ky vendim u mor për shkak se Franca, Holanda dhe Danimarka kishin rezerva për hapjen e negociatave për dy vendet.

Në mbledhjen e sotme që u mbajt në Luksemburg, u vendos që drita jeshile për Shqipërinë e Maqedoninë të jepet vitin e ardhshëm nëse do të përmbushen disa kushte.

Pas diskutimeve të gjata, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian ranë dakord që dy vendeve do t’u hapen negociatat në verën e vitit 2019 nëse kanë bërë përparim të mjaftueshëm me reformat respektive.

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, i cili loboi që Shqipërisë dhe Maqedonisë t’i hapen negociatta, tha se u përpoq që të bindte tre shtet skeptike, shkruan “Kathimerini”. Megjithatë, Franca, Holanda dhe Danimarka kërkojnë më shumë reforma dhe duan të shikojnë më shumë progres.

“Kishte dy linja të ndryshme. Nga njëra anë, ishte një shumicë prej 25 vendesh që dëshirojnë të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë deri në verën e vitit 2019 dhe nga ana tjetër Danimarka, Franca dhe Holanda që duan të shtyjnë negociatat”, tha Kotzias.