Tre të rinj nga Durrësi të moshës 23, 27 e 31 vjeç, do të përballen me drejtësinë për mosbindje dhe kundërshtim ndaj uniformave blu.
Bëhet fjalë për një rast të regjistruar në zonën e Spitallës në lagjen nr.15 një ditë më parë, ndërsa arsyet e përplasjes mes të rinjve dhe policisë, kanë qenë për shkak të një kontrolli që uniformat blu do të kryenin ndaj tyre. Por të rinjtë nuk janë bindur, duke bërë rolin e të ‘fortëve’.
Policia informon se “Më datë 22.06.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Durrës, për shtetasit E.H, G.XH dhe E.H, vjeç 27, 23 e 31, banues në Durrës, pasi në lagjen 15, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit publik, për t’iu nënshtruar kontrollit”.
Ndaj të rinjve rëndojnë akuzat “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, sipas neneve 236 dhe 242 të Kodit Penal.





