Humbja në ndeshjen debutuese ndaj Meksikës nuk është kapërdirë ende te Gjermania. Ish legjenda të përfaqësues së pancerave kanë sulmuar grupin aktual dhe trajnerin Joachim Low për atë paraqitje duke krijuar polemika të shumta, që nuk i bëjnë aspak mirë skuadrës, që të shtunën në mbrëmje do të luajë ndoshta ndeshjen më të rëndësishme sfidën ndaj Suedisë që do të vendosë për fatet e Gjermanisë nëse pancerat do të kenë apo jo mundësi për t’u kualifikuar në fazën tjetër.

Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto stafi teknik i Gjermanisë tashmë duhet të dëgjojë edhe pakanaqësitë e lojtarëve për kushtet e hotelit ku po qëndrojnë 4-herë kampionët e botës. Një pjesë e mirë e futbollistëve janë ankuar për kushtet e hotelit, jo për ambientet e brendshme por për faktin se jashtë godinës ka shumë zhurma që shqetësojnë lojtarët.

Diçka e tillë ka vendosur nën presion edhe menaxherin e kombëtares Oliver Bierhoff i cili ka folur për këtë temë duke iu përgjigjur në një farë mënyre futbollistëve për ankesat e tyre: “ Nuk është hera e parë që dëgjoj të flitet për kushtet jo komode në hotel, kështu ndodhi dhe në Brazil, kështu ka ndodhur dhe më parë, por di të them se kam 9 vite që e bëj këtë punë dhe marr vesh diçka më shumë. Nuk mendoj se ka vend për pakënaqësi për kushtet e akomodimit të ekipit”, ka theksuar Bierhoff.