Nga Hysni Gurra 

Statistikat tregojnë se numri i sëmundjeve kancerogjene në Shqipëri po shumfishohet. Nuk po përmend shifra sepse shifrat janë të frikshme. Kam shkruar e folur shumë për këtë temë, e kanë bërë edhe shumë të tjerë në analiza apo opinione të caktuara, megjithatë këtu si çdo gjë tjetër asgjë nuk ndryshon. Bujqësia dhe siguria ushqimore në Shqipëri ka qenë një problem shumë i madh, nuk është i ri. Ajo çfarë është e re që pas premtimit për të rilindur bujqësinë e deri më sot janë dy faktorë që kushdo nga lexuesit mund ta verifikoje edhe vetë pa qënë nevoja të besojë atë që them unë, apo statistikat:

1-Janë rritur ndjeshëm shoqatat, individët apo grupacionet e bamirësisë publike, të cilat përveç aspektit të përfitimit vetjak, të atyre që i krijojnë apo menaxhojnë, kanë adresuar një problematikë shumë të rëndësishme të popullatës, e cila gjatë atyre qarjeve publike mbetet disi në hije për publikun e gjerë. Të gjitha familjet në mjerim, ato që duken dhe ato që nuk duken në kamera, vuajnë nga pamjaftueshmëria në të ushqyer. Ushqehen keq, fëmijë që rriten në kushtet e pamjaftueshmërisë dhe cilësisë së keqe të ushqimit.

2- Rritje e numrit të të prekurve me sëmundje kancerogjene dhe ulja e moshës së të prekurve. Kjo kategori në të shumtën e rasteve nuk vuan pamjaftushmërinë, por cilësinë e keqe të të ushqyerit.

Ka disa faktorë që ndikojnë në të dyja rastet, por ka një pikë përbashkuese e cila është papërgjegjshmëri totale institucionale në këtë drejtim.

Pyetja që shtrohet është: Ku po shkojmë ne si shoqëri kështu?

Ndodh një investigim për çështje pazaresh droge të zyrtarëve të lartë, gjithë Shqipëria në këmbë, edhe ata që nuk dalin në shesh dalin në rrjetet sociale.

Ndodh një investigim ( referuar emisionit boom në ora news) për cilësinë e qumështit në treg, kalon pa ndonjë shenjë të madhe.

Ndodh një ndarje apo bashkimi çiftesh të show bizz, e njëjta gjë si ne rastin e parë.

Nuk jam kundër as të parës as të fundit, por prioritetet për të cilat duhet të shqetësohemi duket se i kemi pak mbrapsht si popull.

Emisionet investigative bëjnë shpesh edhe gjobvënësin në këtë vend, por investigimi për qumështin i emisionit “boom” nuk linte vend për dyshime të tilla sipas meje.

Pse?

E para, qumështi ishte blerë në tregun vendas dhe mostrat ishin dërguar për analiza në institucionin po vendas.

E dyta, kompania doli me emër. Nëse në një puntatë të emisionit nuk do të përdorej emri, mund të linte dyshime për histori presioni etj etj.

Reagimi i institucioneve ishte jo i duhuri dhe qëndrimi i ministrit specifikisht ishte llahtar fare. Edhe pse pranonte problematikën, në ligjëratë të drejtë po e citoj: “Duhet të kemi kujdes se bëhet fjalë për perceptim të opinionit publik. Nëse thuhet se filan kompani ka probleme me qumështin perceptohet sikur ka probleme të vazhdueshme me qumështin,  ndërkohë që ai problem mund të shfaqet në një moment të caktuar dhe me një sasi të kufizuar e cila është sot por jo nesër.” Niko Peleshi.

Ministri në këtë paragraf ( jo të nxjerrë nga konteksti, shih reagimin për “boom”) kujdeset për imazhin e kompanisë, mos peceptohet negativisht kompania, në vend që të kujdeset për konsumatorin.

Në një vend normal pas këtij reagimi dhe në mungesë të një reagimi nga konsumatori, kryeministri ose duhet ta shkarkojë ose minimumi të kërkojë falje publike për këtë gjë.

Pse?

Analizat e qumështit janë bërë në një laborator, të cilin këta pushtetarë e mburrin sa herë u intereson. Dhe pas këtyre analizave ose duhet të dalin të thonë që laboratori nuk funksionon, nuk është i saktë, ose duhej menjëherë të vinin në levizje edhe organe të tjera ligjzbatuese që kjo  të zbardhej menjëherë.

Si mundet një ministër të thotë që problematika mund të jetë sot, po mund të mos jetë nesër?

E zëmë se ditën që gazetarët morën mostrat për analizë, janë shitur minimumi njëmijë litra qumësht në treg me aflatoksinë mbi normat, siç doli nga analizat. Njëmijë litra i kanë konsumuar njëmijë persona midis tyre edhe fëmijë. Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë?

Të gjithë tashmë e dinë se prania e aflatoksinës mbi norma shkakton kancer të njeriu. A nuk quhet kjo “vrasje masive”?

Ushqimet e pasigurta, si në rastin konkret, nuk vrasin brenda një dite, që ta pish qumështin në mëngjes, në drekë të të shfaqet kanceri dhe në darkë të vdesësh.

Se këtu ndaj nuk reagon konsumatori dhe as shteti, se presupozojnë që një ushqim i keq, që të quhet i tillë, duhet të të vrasë brenda ditës!

Nuk ndodh kjo, por ndodh kjo tjetra që tregojnë statistikat, numër në rritje sëmundjesh të tilla dhe ulje në moshë e të prekurve.

Çfarë bëjmë ne kështu? Si mund të rrëshkasë një popull pas berihait dhe papërgjegjshmërisë kështu si ndodh me ne?!

Kjo situatë nuk kursen as atë të mjerin që nuk ka mundësi të ushqehet si duhet as të pasurin që i ka të gjitha mundësitë për t’u ushqyer. Ky stan këtë bylmet prodhon për të gjithë!

Qumështi me aflatoksinë, mishi kalbësira të importuara nga Amerika Latine, frutat e perimet me kimikate e hormone, mielli i kontaminuar e me cilësi për kafshët, ajri i qytetit (i matur) 60% mbi normat e lejuara, uji i çezmave akoma më keq.

Ç’po bëjmë ne kështu???

Qeveria qan hallin e “bosëve” të tregtisë së ushqimeve e oligarkëve, opozita s’dihet se të kujt! Dhjetra herë në ditë del opozita në media për denoncimet e drogës. Populli në masë pi më shumë qumësht se drogë. Për interes të kujt kërkon të vijë në pushtet opozita, a nuk kërkon interesin e popullit? Mirë bën që del për drogën, por të dalë edhe për të tilla problematika. Neve po na bie numri i lindjeve dhe po na rritet i vdekjeve. Emigrimi nuk është sëmundje, infertiliteti dhe mortaliteti po. Kjo duhet të jetë shqetësim për të gjithë.

Shoqëria civile???

Këtu s’ke ku e kap më parë!