Në dhomat e zhveshjeve në Real Madridit janë të bezdisur nga komentet e Cristiano Ronaldos pas triumfit në finale të Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.
Atyre nuk u ka pëlqyer fakti se Ronaldo tentoi të ishte në qendër të vëmendjes duke pohuar se do të largohej nga klubi në një moment kur skuadra nisi ta festonte në fushë titullin e 13-të të Madridit në Champions.
Sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Sergio Ramos e qortoi Ronaldon në dhomat e zhveshjes:
“Nuk je në rregull çfarë ke bërë, nuk ishte momenti i duhur për ta thënë atë. Duhet t’i tërheqësh fjalët dhe ne do të të ndihmojmë”. Sipas gazetës spanjolle, Ronaldo e ka pranuar këtë dhe Ramos e ka mbyllur me “ne jemi me ty, por duhet ta ndihmosh veten, gjithashtu”.
Pas finales, në ditën kur Real Madridi e festoi titullin në shtëpi, Ronaldo ndryshoi plotësisht në deklaratat e tij pasi i përshëndeti tifozët madrilenë duke u thënë “shihemi vitin tjetër”.





