Anijet tregtare që transportojnë mallra import-eksporti drejt/nga porti i Durrësit, gjatë 3 muajve të parë të këtij viti kanë lundruar drejt 11 vendeve të ndryshme.

Portet e vendeve të Mesdheut janë më të frekuentuarat nga anijet me mallra import-eksporti, por nuk mungojnë edhe vende si Rusia, Turqia, Bullgaria, Ukraina, etj.

Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, Turqia, është vendi me numrin më të madh të porteve, plot 10 të tillë, ku gjatë periudhës janar-mars të këtij viti janë përpunuar anijet që mbërrijnë më pas në Durrës apo që nisen prej tij.

Më pas vijnë Italia dhe Rusia, secili me nga 6 porte të frekuentuara nga anijet me mallra për/nga porti i Durrësit, si dhe Greqia, Franca dhe Ukraina.

Në këto tre vende, anijet tregtare me mallra import-eksporti për/nga Durrësi gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë përpunuar përkatësisht në tre porte secili.

Anijet tregtare që i drejtohen Durrësit gjatë vitit ndalen edhe në porte të vendeve të tjera si Rumani, Kroaci, Ekuador, Tunizi, SHBA, Qipro, etj.