Neshat Tepelena, mësuesi 60-vjeçar i cili akuzohet  për veprime të turpshme me të miturën, nxënësen e tij 11-vjeçare është arrestuar nga Policia e Delvinës.

Në dëshminë e tij, ai i ka mohuar akuzat, duke hedhur poshtë akuzat e prindërve të vajzës së mësuesi ka puthur nxënësen.

"Ata kot më akuzojnë. Keni bërë gabim që më keni sjellë këtu. Jam fare kot këtu. Nuk e kam puthur as prekur. Vajza ka qenë për disa vite radhazi nxënësja ime, që nga klasa e parë dhe tani është në të pestën. Edhe herë të tjera e kam thirrur këtë nxënëse, por edhe nxënëse të tjera në klasë për probleme të ndryshme të klasës. Mua edhe mund të më ndaloni, po shumë shpejt do të më lironi se jam i pafajshëm, pasi po akuzohem kot për një gjë që nuk e kam kryer kurrë", është shprehur mësuesi i arrestuar në Policinë e Delvinës.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur dy muaj më parë, kur 11-vjeçarja me inicialet A.A. ka qenë duke pastruar bashkë me një shoqen e saj në korridorin e shkollës. Sipas dëshmisë së vajzës, mësuesi i kërkoi asaj që të shkonte në klasë, ku e kishte puthur në faqe, sipas dëshmisë së prindërve.