Ndërhyrja në kohë e policisë ka parandaluar përshkallzimin e mëtejshmëm të një konflikti me armë në familje. Pas njoftimit të marrë, policia e Matit ka mbërritur në fshatin Gurrë Klos, në banesën e shtetasit Ari Hoxha.
Mësohet se në banesën e 30-vjeçarit Hoxha ka shkuar shtetasi B.O, me qëllim sqarimin e një konflikti midis Hoxhës dhe bashkëjetueses së tij, shtetases E.N,.
Shtetasit e mësipërm kanë debatuar me njëri- tjetrin dhe brenda në banesë shtetasi B.O, ka kanosur duke qëlluar një herë me armë zjarri, dhe është larguar, sapo ka parë policinë.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Në vendin e ngjarjes është sekuestruar një gëzhojë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mat, u arrestua në flagrancë shtetasi:
Ari Hoxha, banues në fshatin Mishter, Klos, (i dënuar më parë), pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij E.N, 16 vjeçe. Vepra penale "Dhunë në familje".
Ndërsa shtetasi B.O, 41 vjeç, banues në Laç, i afërm i shtetases E.N është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij. Veprat penale "Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve" "Kanosje".
Materialet i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Mat, për veprime të mëtejshme.





