Nga Evis Nasto
E themeluar 54 vite më parë, Organizata e Muxhahedinëve të Popullit e Iranit, vijon ende përpjekjet e saj për të vendosur lirinë dhe demokracinë në Republikën Islamike të Iranit, që ata e konsiderojnë si “regjimi diktatorial i mullave”.
Të njohur ndërkombëtarisht si “muxhahedin”, ose thënë ndryshe “luftëtarë për një islam tolerant”, organizata e tyre PMOI ose MEK prezantohet si një bashkësi njerëzish të lidhur pas idealeve demokratike të barazisë, të islamit të predikuar në Kuran dhe jo atij të interpretuar nga kleri mysliman, për gra të mbuluara me jihab, jo sepse e dikton feja, por për zgjedhjen e tyre të lirë, për barazinë e burrit me gruan. Ideale dhe parime të cilat ato synojnë t’i vendosin në themelet e shtetit të tyre.
Udhëheqësit dhe anëtarët e kësaj organizate janë përndjekur dhe ekzekutuar ndër vite, ndaj dhe një pjesë e konsiderueshme është e detyruar të zhvillojë veprimtarinë e tyre jashtë vendit.
Konica.al ka kontaktuar një prej tyre. Shahin Gobadi, anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me jashtë në Këshillin Kombëtar të Rezistencës Iraniane (NCRI) në Paris ka dhënë ekskluzivisht për portalin tonë një intervistë ku shpjegon rolin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit e Iranit në veçanti në protestat e fundit në Iran…si
1- Cili është roli i muxhahedinëve në protestat e fundit kundër regjimit të Iranit?
Shahin Gobadi: Muxhahedinët kanë një rrjet të gjerë në Iran falë dhe përdorimit të rrjeteve sociale në Iran. Gjatë vitit të fundit, ky rrjet ka organizuar shumë protesta në vend, përfshi atë përgjatë pseudo-zgjedhjeve nën regjimin e mullave si dhe fushatën kundër autorëve të masakrës së 1988 që shkaktoi me mijëra viktima në radhët e të burgosurve politikë. Roli i MEK gjatë demonstratave ishte kaq i shtrirë në Iran saqë presidenti Rouhani mësohet t’i ketë thënë në 2 janar presidentit të Francës gjatë një bisede telefonike se në trazirat e iranit ka gisht MEK duke i kërkuar atij që presidenti Macron të kufizojë organizatën. Nga ana tjetër lideri suprem Ali Khamenei njoftoi në 9 janar se Muxhahedinët “ishin përgatitur prej muajsh për të organizuar kryengritjen duke lokalizuar dhe kontaktuar njerëz në të gjithë vendin për t’i bërë bashkë në organizime të tilla. Ata tërheqin njerëzit që të thërrasin sloganet e tyre kundër çmimeve të larta, njerëz që i ndjekin në përputhje me axhendën e tyre”. Ai gjithashtu shtoi se kryengritja ishte organizuar nga dy shtabe qëndrore të vendosura tek vendet fqinje dhe u zotua se me mbështetësit e MEK nuk do të kishte mëshirë, duke nënkuptuar ekzekutimin e tyre. Po ashtu edhe eksponentë të sikurse zv/drejtuesja e IRGC-së Sanaie Raid, pohuan në televizionet e regjimit se në përgjatë kryengritjes edhe gratë Muxhahedine kanë luajtur një rol të rëndësishëm.
2- Në mbështetje të qëllimit politik që kanë bashkëatdhetarët tuaj pjesë e rrjetit të MEK që jetojnë ende në Iran, a keni ndërmend të organizoni manifestime të ngjashmë këtu në Shqipëri ku jeton një komunitet i konsiderueshëm Muxhahedinësh?
Aktiviteti politik i MEK janë të përqëndruar kryesisht tek Shtetet e Bashkuara dhe tek ato vende që janë anëtare të Bashkimit Europian. Gjatë muajve të kaluar, Muxhahedinët kanë mbajtur nje duzinë demonstratash dhe konferencash, shoqëruar me intervista mediatike në SHBA, Francë, Gjermani, Mbretërinë e Bashkua dhe në Belgjikë, përpara Parlamentit Europian apo edhe përpara selisë qëndrore të OKB-së në Gjenevë dhe në Nju Jork.
3- Përse gratë përfaqsojnë shumicën në organizatën tuaj (madje edhe presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane është një grua)?
Regjimi i mullave në Iran është mesjetar. Misogjinia dhë shtypja e grave ka karakterizuar përherë regjimin e vendosur në Iran përmes dhunës dhe frikës. Kjo për shkak të potencialit të madh që kanë gratë iraniane në angazhimin e tyre politik kundra regimit. Historikisht, iranianet kanë luajtur një rol kyç në lëvizje gjatë shekulit të XX-të. Historia dhe kultura e popullit tonë nuk ka të bëjë aspak me misogjininë që kërkon të instalojë regjimi mesjetar i mullave. MEK, si një organizatë që udhëhiqet nga parime demokratike beson thellësisht tek barazia gjinore. Ne qëndrojmë prej ditës së parë kundër çdo forme prapambetje të propaganduar nga regjimi. Znj. Rajavi e cila është presidente e zgjedhur e NCRI-së, ka çelur rrugëtimin e grave që përpiqen çdo ditë kundër misogjenisë së regjimit të mullahëve. Tashmë një gjeneratë e re grash në rezistencën iraniane mbajnë detyra të larta drejtuese në lëvizje.
4- A ka ngjashmëri midis besimit Bektashi dhe muxhahedinëve?
Muxhahedinët e kuptojnë Islamin si një besim që mbështet lirinë, tolerancën, paqen dhe anti-fondamentalismin. Islami që ne njohim ështe prej Kuranit dhe jeta e propaganduar nga udhëheqësit historikë të Islamit lidhet me të drejtën e popujve për të mos u diskriminuar. Në të mbrohen të drejtat e lirisë se mendimit, ideologjisë dhe besimit. Islami i Kuranit bie ndesh me idetë dhe veprimet e regjimit në fuqi që është aktualisht në Iran. Çdo gjë që mullahët e portretizojnë si Islam nuk ka të bëjë aspak me të. Në këndvështrimin tonë, mullahët janë duke abuzuar me Iranin në funksion të çuarjes përpara të qëllimeve të tyre. Mullahët konsiderohen si kumbarët e Daesh(ISIS). Islami i vërtetë është ai që besojnë Muxhahedinët: burrat dhe gratë janë të barabartë. Nuk ka asnjë detyrim për të pranuar besimin sepse në themel qëndron nevoja për të pranuar këtë besim me ndërgjegjie dhe zgjedhje të plotë të njeriut. Legjitimiteti i një qeverie nuk vjen nga besimi fetar, por nga vota dhe zgjedhjet e lira. Minorancat fetare duhet të gëzojnë të njëjtat të drejta sikurse myslimanët sepse nuk ka dallime mes njerëzve për shkak të besimit, racës apo etnisë. Të gjithë njerëzit duhet të gëzojnë të drejtat e tyre dhe nuk duhet të persekutohen prej përkatësisë fetare. Thënë kjo, ne respektojmë besimet e tjera, sidomos ato që vijnë si rrjedhojë e Islamit, Shiite apo Sunnite, përfshi dhe vëllezërit dhe motrat tona të besimit Bektashi.
5- Muxhahedinët kanë udhëtuar për vite me radhë për shkak të persekutimit nga Republika Islamike e liderit suprem Ayatollah Kohmenei. A ishte e lehtë për t’u përshtatur në Shqipëri?
Regjimi Iranian ka ekzekutuar më shumë se 120 mijë njerëz që prej vitit 1981. Shumica e viktimave ishin anëtarë dhe mbështetës të Muxhahedinëve. Vetëm gjatë verës së vitit 1988, më shumë se 30 mijë njerëz u masakruan vetëm sepse ishin mbështetës te Muxhahedinëce. Regjimi i mullahëve organizoi një seri sulmesh kundër Muxhahedinëve madje edhe kur ata ishin në Irak. Në të dy kampet, Ashraf dhe Liberty Camp, me qindra muxhahedinë mbetën të vrarë ose të plagosur në këto sulme. Bashkëpunëtorët e regjimit vazhduan të mbanin nën shënjestër kampin e Lirisë (Liberty Camp) duke përdorur raketa. Qëllimi i regjimit ishte të shkatërronin Muxhahedinët. Pas një seri përpjekjesh nga ana e NCRI-së dhe miqve të Muxhahedinëve, shumë anëtarë të kësaj organziate gjetën strehë në vende të ndryshme europiane dhe në Shtetet e Bashkuara. Shqipëria pranoi të strehonte numrin më të madh të tyre, kjo dhe për faktin se Shqipëria karakterizohej historikisht nga tradita e humanitarizmit dhe tolerancës fetare.
Pas vitesh persekutime me vrasje dhe përndjekje nga regjimi i mullahëve, më në fund muxhahedinët erdhën në Shqipëri ku kishin të gjitha mundësitë për të nisur një erë të re. Ajo çka pamë ishte një mikëpritje me krahë të hapura nga ana e qeverisë, partive të ndryshme politike por edhe nga populli shqiptar, i cili tregoi mikëpritjen dhe mirësi ndaj nesh. Sigurisht që regjimi i mullahëve është përpjekur edhe në Shqipëri që të shpërndajë gënjeshtra dhe akuza false ndaj nesh duke blerë programe televizive dhe duke bërë publicitet negativ në media. Kjo me qëllim për të demonizuar muxhahedinët në opinionin publik shqiptar. Megjithëse ne besojmë se populli shqiptar, i cili i ka njohur për disa vite muxhahedinët, nuk do të mashtrohen nga lajmet e rreme të mullahëve.
6- Cili është qëllimi juaj politik, që tani me intesifikimin e protestave dhe më tej?
Qëllimi i kësaj kryengritje është rrëzimi i regjimit të mullahëve dhe vendosja e demokracisë në Iran. Populli i Iranit ka dëshmuar se ata nuk do të ndihen të kënaqur nëse nuk arrijnë rrëzimin e këtij regjimi. Muxhahedinët do të angazhohen më tej me përpjekjet e tyre për të vazhduar kryengritjen e nisur. Rrjeti i MEK në brendësi të Iranit është duke u rritur çdo ditë. Shkaku kryesor i kryengritjes vijon të ekzistojë sa kohë që ky regjim është në fuqi dhe nuk ka dyshim që kryengritja do të vazhdojë deri në ditën e rrëzimit.
7- Përse mendoni që pushtetit të Ajatollah-ut do t’i vijë fundi brenda harkut kohor të një viti?
Ekzistojnë 3 faktorë që e bëjnë rrëzimin e këtij regjimi një objektiv të arritshëm.
Së pari për faktin se pakënaqësia mes iranianëve është përherë e më e thellë për shkak të shtypjes së lirive dhe të drejtave. Gjithashtu, për shkak të situatës ekonomike. Irani është një shtet me pasuri të shumta, por shumica e njerëzve janë të uritur dhe të varfër dhe ndaj kërkojnë që regjimi të ndryshojë.
Së dyti, situata në arenën politike ndërkombëtare ka ndryshuar pasi ka përfunduar epoka e pajtimin e Shteteve të Bashkuara që pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. Regjimi tashmë është i izoluar dhe nuk po merr më mbështetje.
Së treti, prania e Muxhahedinëve dhe rezistencës iraniane është e organizuar në të gjithë Iranin.
Ne besojmë se këto tre faktorë do t’i mundësojnë regjimit Iranian që të rrëzojë regjimin pa pasur nevojën për ndërhyrjen e ndonjë force të huaj dhe duke u mbështetur të vetëm në forcat tona.
8- Çfarë plani keni pas rrëzimit të regjimit? A ka në plan MEK të vi menjëherë në pushtet?
Qëllimi i MEK është të çlirojë Iranin dhe të krijojë kushte të përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të lira. MEk si pjesë e Këshillit Kombëtar të Koalicionit të Rezistencës, pas rrëzimit të regjimit, do të krijojë një qeveri tranzicioni që do të zgjas vetëm 6 muaj. Përgjegjësitë e qeverisë së përkohshme do të lidhen me krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe krijimin e Asamblesë Kushtetuese e cila do të mandatojë qeverinë e re dhe do të shkruajë kushtetutën e vendit. Muxhahedinët do të marrin pjesë në këto zgjedhje njësoj si çdo parti tjetër pa kërkuar asnjë lloj favorizimi për vete. Ata do të kërkojnë vetëm votat që do të marrin nga besimi që kanë ngjallur tek qytetarët asgjë më shumë.
9- A është opozita juaj më e unifikuar kundër regjimit të Ajatollahut në dallim nga formacionet opozitare të vendeve të tjera në konflikt sikurse Siria?
Sigurisht që po. Opozita iraniane ështe e unifikuar në Këshillin Kombëtar të Rezistencës Iraniane. Përgjatë 40 viteve të kaluara, pavarësisht vështirësive që kemi pasu, ky këshill ia ka dalë mbanë të ruajë unitetin. NCRI është aleanca politike më jetëgjatë në historinë e Iranit.
10- Cilat janë garancitë që demokracia në Iran do të rezultojë një eksperiment i sukesshëm në dallim nga vendet e tjera të Lindjes së Mesme?
Historia e përpjekjeve tona për liri dhe demokraci në Iran është 120 vjeçare. Në vitin 1906 përpjekjet e popullit Iranian u finalizuan me revolucionin kushtetues. Megjithatë, revolucioni fisnik dhe popullor u shtyp përsëri me grusht shteti ushtarak nga fuqitë e huaja, posaçërisht nga Anglia dhe diktatorët rusë. Me lëvizjen iraniane për ruajtjen e naftës si pasuri kombëtare në vitin 1951 për herë të parë erdhi në pushtet një qeveri demokratike, por për fat të keq, një grusht shteti britaniko-amerikan e zëvendësoi atë qeveri me monarkinë e korruptuar të Shahut në Iran.
Tanimë ne nuk kemi asnjë dyshim se demokracia do të mbizotërojë në Iran. Falë pranisë së NRCI-së si alternativë demokratike dhe thirrjeve për pluralizëm politik ne besojmë thellësisht tek demokracia, liria, barazia gjinore dhe përparimi i shoqërisë.
http://konica.al/2018/03/interviste-ekskluzive-anetarin-e-rezistences-iraniane-shahin-gobadi/