Tentoi të vriste prindërit e ish-gruas, organi i akuzës kërkon ekstradimin e tij autorit të dyshuar nga SHBA për t’u gjykuar në Shqipëri për krimin e kryer.

Prokuroria e Fierit ka kërkuar ekstradimin nga SHBA drejt Shqipërisë të të pandehurit Lulëzim Sinaj 36 vjeç nga Patosi, i akuzuar për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, e mbetur në tentativë dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake”, pasi ky i fundit arriti të largohej në vendin përtej Atlantikut, pas krimit që kreu në qytetin e Ballshit mbrëmjen e 12 marsit të vitit të kaluar.

Nga hetimet një vjeçare të Prokurorisë për Krime të Rënda e më pas Prokurorisë së Fierit, është arritur të konkludohet se Lulëzim Sinaj qëlloi për të vrarë prindërit e ish-bashkëshortes, Ludmidha dhe Edmond Xhaferraj, duke i qëlluar disa herë me pistoletë.

Nga hetimet ka rezultuar se Lulëzim Sinaj kishte mbërritur në Shqipëri më datë 7 Mars, ka kryer krimin e tij pesë ditë më vonë dhe është rikthyer sërish drejt Amerikës, ku më pas është arrestuar dhe po vuan dënimin për dhunën e ushtruar ndaj ish-bashkëshortes së tij. Për udhëtimin e Lulëzimit drejt Shqipërisë ka qenë në dijeni edhe ish-bashkëshortja, Negisa, e cila i ka porositur prindërit që të mos e prisnin në shtëpi. Por, pavarësisht kësaj, Lulëzimi ka realizuar planin e tij të hakmarrjes, që fatmirësisht nuk mori dot jetën e dy prindërve të ish-bashkëshortes së tij. 

Pritet që pas ekstradimit në Shqipëri, ai të gjykohet për veprën penale vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë që parashikon dënimin e jo më pak se 20 viteve heqje lirie ose burgim të përjetshëm.