Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, në Terminalin e Kontejnerëve në portin e Durrësit janë përpunuar 33.416 kontejnerë TEU (njësi kontejnerike) gjithsej.
Shifra e këtij viti shënon një rritje prej 8.909 kontejnerësh TEU më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Burimet nga Sektori i Statistikave në APD, bëjnë të ditur se gjatë këtyre tre muajve në Terminalin e Kontejnerëve janë përpunuar 50 anije të specializuara. Në 3-mujorin e parë të vitit 2018 janë përpunuar 16.613 kontejnerë TEU me mallra eksporti, dhe thuajse po aq të tjerë, 16.803 gjithsej, me mallra importi.
Gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, në portin e Durrësit janë përpunuar 355 anije dhe tragete me mbi 894 mijë tonë mallra të ndryshme gjithsej, duke shënuar një rritje prej 14 për qind më shumë mallra, krahasuar me periudhën janar-mars të vitit 2017.