Ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure seanca e rivlerësimit te Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarin e Apelit në Durrës, Besim Trezhnjeva. Trupa gjykuese e përbërë nga Alma Faskaj, Firdes Shuli dhe Roland Ilia, do të kalojnë në ‘sitën’ e Vettingut pasurinë e gjyqtarit Trezhnjeva.
Besim Trezhnjeva është gjyqtari i tretë që kalon në procesin e Vettingut, duke u vlerësuar kështu për burimin e pasurisë dhe pastërtinë e figurës së tij.
Sipas KPK, Trezhnjeva ka fshehur pasurinë, pasi deklarimi që ai ka bërë nuk përputhet. KPK shprehet se Trezhnjeva nuk i justifikon pasuritë dhe ka kryer deklaratë të rreme. Gjithashtu, gjyqtari ka marrë një kredi prej 50 mijë eurosh për të blerë apartament, e cila sipas dokumenteve, rezulton se ka kaluar në llogari të një kompanie ndërtimi në Durrës. Deri në këtë fazë të hetimit, trupa gjykuese e KPK ka vlerësuar se ky është një kriter i mjaftueshëm për të proceduar subjektin.
Më parë, në sitën e Vettingut kanë kaluar gjyqtarët Fatos Lulo dhe Vitore Tusha të Gjykatës Kushtetuese. Fatos Lulo nuk e kaloi procesin e rivlerësimit, pasi nuk justifikonte dot pasurinë prej rreth 500 mijë dollarësh, ndërsa gjyqtarja Vitore Tusha rezultoi e pastër, duke vijuar e lirë detyrën.





