Një automjet i djegur është gjetur në fshatin Gramëz të Fushë-Krujës. Dyshohet se makina është përdorur në atentatin e djeshëm në Tiranë, ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Mario Majollari.
Mjeti i djegur ishte pa targa, ndërkohë policia është duke mbledhur prova që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. Në polici janë shoqëruar disa persona në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për vrasjen e 28-vjeçarit.
Hetimet paraprake të uniformave blu janë që Mario Majollari të jetë ekzekutuar për hakmarrje. Babai i tij, Avni Majollari po vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave në vitin 2000, të Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzit.
28-vjeçari Majollari u ekzekutua mbrëmë rreth orës 20:25 pranë banesës së tij në zonën e Kinostudios në kryeqytet. Ai kishte pak kohë që ishte kthyer nga Suedia, pasi në vitin 2015 kishte aplikuar për azil në këtë shtet, por kërkesa e tij u refuzua.






