Ndërsa drejtuesit e mjeteve gjobiten menjëherë nga policia rrugore kur parkojnë gabim, kjo gjë nuk ndodh me zyrtarët.
Madje këta të fundit, duhet të jenë të parët që të japin shembull për respektimin rigoroz të Kodit Rrugor.
Ditën e sotme në qytetin e Durrësit u zhvillua mbledhja e Prefekturës për turizmin, dhe siç shihet nga pamjet filmike, disa prej zyrtarëve pjesëmarrës në takim vendosën t’i parkonin mjetet në kundërshtim të hapur me Kodin Rrugor.
Makina e njërit nga zyrtarët e ministrisë së Turizmit është e parkuar në vend të ndaluar. Makina e kryetarit të bashkisë së Shijakut Ardian Kokomani e ka gjetur një vend parkimi, por ajo është e personave me aftësi të kufizuar.
Edhe më herët, DurrësLajm ka publikuar shqetësimin e ngritur nga shoqata e invalidëve, pasi vendet e rezervuara për këtë kategori zihen nga automjete të tjera dhe askush nuk ndëshkohet për këtë veprim.
Një tjetër makinë e zyrtarëve të shtetit është ajo e Bordit të Kullimit, e parkuar në trotuarin afër Prefekturës.
Makinat e zyrtarëve kanë ndenjur parkuar në vende të ndaluara për më shumë se 2 orë, jashtë çdo rregulli, por si të mos mjaftonte kjo nuk dukeshin as efektivët e rrugores për të ndëshkuar shkelësit e Kodit Rrugor, që këtë herë ishin persona të veshur me pushtet.





