Një aks prej 33 km që duhet të përshkruhej në pak minuta mes kryeqytetit dhe Durrësit, çdo ditë e më shumë po kthehet në ankth për përdoruesit e rrugës.

Report Tv është ndalur në aksin interurban Tiranë-Durrës ku nga Vora deri në hyrje të Durrësit ana e djathtë e segmentit ka dekraduar duke u kthyer në rrugë me gropa.

Eksperti i aksidenteve rrugore Gëzim Hoxha, shprehet se autoritetet duhet të mbyllin këtë aks për të shmangur pasojat në jetë njerëzish.

Më tej, Hoxha sqaron se dëmtuesit më të mëdhenj të këtij aksi janë kamionët e kromit që janë mbi tonazhin e lejuar.

Ndërsa shoferët këtë aks e konsiderojnë të tmerrshëm dhe të rrezikshëm.

Dëmtimet në këtë aks nuk janë vetëm në sensin Tiranë-Durrës, por ka dhe anasjelltas në drejtimin Durrës-Tiranë.

Referuar statistikave të aksidenteve, 80 % e tyre në këtë aks ndodhin për shkak të gjendjes së rrugës së amortizuar.

Prej disa kohësh në këtë aks punohet për të mbushur gropat të cilat sapo bie pak shi prishen sërish duke e bërë që riparimet të jenë të pavlefshme.

"Ky segment rrugor është burim aksidentesh. Shumë ngjarje të rënda kanë ndodhur këtu, shumë të rinj kanë humbur jetën. Kjo rrugë sjell aksidente, viktima. Goma e makinës bie në gropë dhe shkakton aksidente. Rruga e dëmtuar krijon fluksin e panevojshëm. Rrugës i anë bërë herë pas here arna, por ajo nuk shkon në stabilitet asnjëherë, ndaj dhe del sërish nga vendi. Kjo është një rrugë e rrezikshme, ndaj bën mirë mos të rrimë këtu se ndonjë mjet mund të na përplasë. Pas disa ditësh ato gropa do të jenë shumë të mëdha dhe skopjojnë gomat e makinave. Natën drejtuesi i mjetit përfshihet nga paniku, kur shikon gropa në rrugë, kjo sjell pasoja dhe viktima".

Një zgjidhje emergjente?
Duhet një investim i mirë, dhënia me koncesion do të ishte shumë mirë. Deri tani shteti bën sikur paguan, ne bëjmë sikur marrim shërbimin, rruga është jashtë standardit, lekët harxhohen. Nëse e merr privati, varet te ndershmëria me të cilën punon, rruga mund të rregullohet. /Report tv/