Prokuroria e Durrësit ka proceduar penalisht kryeinspektorin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik pranë Bashkisë Durrës, Artur Cela, ndërsa Gjykata sot ka vendosur pezullimin e tij nga detyra.
Sipas Prokurorisë, Artur Çela dyshohet se ka konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion pasiv i personave qe ushtrojnë funksione publike”.
“Gjykata Durrës në datë 10 prill 2018 vendosi ndaj tij masën e sigurimit personal ndaluese dhe shtrënguese “Pezullim i ushtrimit te një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi për të qëndruar në ambientet e IMT-së Durrës”, parashikuar nga nenet 235 dhe 242 te K.Pr.Penale dhe ky vendim u ekzekutua po në 10.04.2018”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e gjykatës.
Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se Çela nuk ka zbatuar ligjin mbi prishjen e një objekti pa leje në lagjen 17 të qytetit, duke e favorizuar personin në fjalë.





