Protestës së lajmëruar nga Partia Demokratike i janë bashkuar edhe një pjesë e tregtarëve të tregut industrial në Durrës.

Lajmërimi i tregtarëve nuk është bërë në kohë nga ana e sindikatës, dhe kështu pjesëmarrja në protestë ka qenë e pakët, por gjithsesi mesazhi dërguar Ministrisë dhe Drejtorisë së Financave ishte i qartë.

Tregtarët e tregut industrial kërkuan që Edi Rama të mbajë premtimin e dhënë për të mos taksuar biznesin e vogël, por ta ndihmojë atë.

Tregtarët thanë që xhiroja ditore është në minimumin historik, pasi ka pësuar rënie të madhe gjatë vitit 2018, për shkak të mungesës së fuqisë blerëse.

Myslym Çoku, Kryetari i Shoqatës së Tregtarëve Ambulantë të Durrësit, tha se me futjen e skemës së TVSH-së, 40 për qind e subjekteve të tregjeve hyjnë automatikisht në biznes të vogël me TVSH.

Sipas tyre, norma e fitimit është shumë e vogël dhe futja e biznesit në skemën e TVSH-së, bën që këto biznese të falimentojnë.

Por tregtarët thanë që “nëse qeveria do na falimentojë, ku do të na punësojë Edi Rama, ku do të na çojë? Çfarë zgjidhje do japë për ne? Paguajmë sigurime, qiranë ndaj pivatit, dhe futja e TVSH-së do na falimentojë automatikisht”.