Analiza Ekonomiko-Financiare e APD për vitin 2017, që u zhvillua sot në mesditë në Sallën e Trajnimeve të APD synon të jetë një veprimtari e përvitshme.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj tha se kjo analizë shërben për të pasqyruar ecurinë dhe rezultatet e vitit 2017-të, dhe mbi të gjitha për të përcaktuar objektivat e këtij viti.

Sfida kryesore e vitit 2018 – tha Bakaj –  do të jetë: Shtimi i sipërfaqeve të reja në Zonën Lindore; Hartimi i Projektit për thellimin e basenit dhe kanalin hyrës; Projekt-ideja për lidhjen hekurudhore edhe të Terminalit Perëndimor me rrjetin kombëtar.

Analiza vjetore ishte konceptuar si një takim pune. Materialin kryesor të përgatitur me këtë rast nga një grup drejtuesish dhe specialistësh, e referoi Zv. Drejtori i përgjithshëm, Petrit Çerçizi.

Duke folur për detyrat e vitit 2018, Çerçizi tha se realizimi i këtyre arritjeve dhe objektivave për vitin 2018 do të sjellë rritjen me 50 % të normës së fitimit për APD-në.

Prefekti i qarkut, Roland Nasto vlerësoi punën e bërë gjatë vitit të kaluar dhe tha se objektivat e këtij viti janë krejtësisht të realizueshme. Ai theksoi se projektet e thellimit dhe të lidhjes hekurudhore portuale me sistemin kombëtar.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Drejtues të APD, Gledan Llatja u ndal në rëndësinë e hartimit të kontratave të performancës që do ti bëjë të prekshme edhe arritjet konkrete për çdo punonjës. Ai theksoi rëndësinë e monitorimit të kontratave konçesionare dhe bashkëpunimit me vetë koncesionet. Në takim përshëndeti edhe nënkryetari i Bashkisë, Arbër Braho.

Objektivat themelore të këtij viti në APD janë: Rritje me 15 % e vëllimit të mallrave; rritje e volumit të trageteve  me 2%; rritje e vëllimit te kontejnerëve me 12%.

Në Analizën Ekonomiko-Financiare 2017 morrën pjesë përfaqësues të Koncesionarëve, nga Kompanitë Stivadore, nga Agjencitë Detare dhe Spedicionere, përfaqësues nga Agjencitë e Trageteve, etj.

Ftesës iu përgjigjën pozitivisht edhe përfaqësues e Drejtues të Drejtorisë së Përgjithshme Detare, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, nga Kapiteneria e Portit, Regjistri Detar, nga Dega e Doganës Durrës, si dhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kufirit dhe Migracionit.

Sot në sallë ndoqën Analizën vjetore edhe disa prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të APD.