Përplasje mes policisë dhe deputetëve të Partisë Demokratike në Gjykatën e Tiranës. Deputetët e PD-së tentuan që të futen në gjykatë për të qenë të pranishëm në masën e sigurisë që do të jepet për 23 protestuesit e ndaluar për tubimin në Rrugën e Kombit, por nuk janë lejuar, pasi trupa ka vendosur që të jetë pa praninë e familjarëve apo personave të tjerë.

Teksa deputetët e PD-së tentuan që të futen brenda, nuk janë lejuar nga siguria duke u përplasur. Pas incidentit, kryetari i grupit të PD-së, Edmond Spaho ka dalë nga përplasja brenda ambienteve të gjykatës me njolla gjak në duar. Ai akuzoi se policia ka ushtruar dhunë, ndërsa e paralajmëroi Ramën se nuk do ta ketë aspak të lehtë sikur e ka nisur, pasi do të përballet me popullin.

“Policët nuk na lejuan që të futemi brenda, ushtruan dhunë. Kanë rrethuar gjysmën e Tiranës për gjyqin, por nuk do ia dalë dot, nuk do ta lejojmë. Shikoni në çfarë gjendje jemi, shtetin diktatorial të Edi Ramës, por nuk ia del dot me dhunë, do përplaset me ne dhe qytetarët”, deklaroi ai.