23 protestuesit e arrestuar për aktet e dhunës në Rrugën e Kombit do të dalin para gjykatës së Tiranës mëngjesin e sotëm për masën e sigurisë. Seanca është njoftuar për në orën 09:00.
Që në orët e para të mëngjesit, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Forcat e Lëvizshme Operacionale kanë rrethuar gjykatën e Tiranës për shmangien e çdo incidenti të mundshëm.
Zhvendosja e gjyqit në Gjykatën e Tiranës u bë për shkak të mungesës së ambienteve të përshtatshme në Gjykatën e Kukësit për zhvillimin e seancës.
Seanca do të drejtohet nga gjyqtarët e ardhur nga Kukësi, ndërsa palë do të jenë dy prokurorë të këtij qyteti, Alketa Nushi dhe Edmond Karriqi si dhe avokatët e 23 protestuesve.
Për 11 persona prokuroria kërkon masa arrest me burg, për pesë të tjerë kërkohet arrest shtëpie dhe për shtatë qytetarë kërkohet masa detyrim partaqitje.
Prova kryesore e prokurorisë së Kukësit për protestuesit janë pamjet filmike dhe dëshmitë e 15 policëve.





