Pak javë më parë, në Durrës, nisi investimi i rikualifikimit të segmentit nga sheshi “Liria” tek Mauzoleumi i dëshmorëve.

Asnjë prej banorëve të Durrësit nuk kishte menduar që investimi publik parashikonte heqjen e parkingjeve në anë të rrugës dhe të zgjerimit të trotuareve në kurriz të rrugës së automjeteve.

Firma ndërtuese ka nisur shtrimin me pllaka që janë njësoj si ato të sheshit “Liria”, por ajo që në sy është ngushtimi i rrugës për autometet. Nga katër korsi vajtje-ardhje rruga bëhet me dy korsi, krijohen disa rrethrrotullime dhe hiqen përfundimisht parkimet në anë të rrugës.

Në këtë mënyrë, edhe ky aks kthehet në bulevard, me përparësi për këmbësorët, por pyetja që shtrohet është: Ku do të kalojnë makinat?!

Shoferët prej ditësh janë përballur me probleme në qarkullimin në këtë aks të mbipopulluar, ku gjendet godina e gjykatës dhe e prokurorisë, por dhe shumë zyra avokatore e noteriale.

Nga investimi kanë mbetur të habitur të gjthë, pasi askush nuk u pyet apo ju mor mendimi në lidhje me këtë ngushtim rruge. Projektuesit e këtyre viteve të fundit kanë çuditur të gjithë Durrësin me projektet e vëna në zbatim.

Në fillim ngushtuan rrugën e plazhit, duke e kthyer në atë që është sot, e papëlqyer nga të gjithë dhe pikë së pari nga banorët e zonës. Më pas, projekti i ngushtimit të rrugëve është zhvendosur edhe brenda qytetit.

Në të gjithë botën rrugët zgjerohen për të liruar qarkullimin e automjeteve, në Shqipëri po ndodh krejt e kundërta.

Rrugët për makinat po mbyllen dhe po zgjerohen për këmbësorët. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por problemi është: Ku do të lëvizin makinat? Ku do të ndalojnë? Ku do të parkohen?

Se deri tani nuk ka asnjë parkim ku mund t’i lësh. Ky është investimi i parë publik i bashkisë së Durrësit për 2018-ën, me vlerë 700 milionë lekë.

Investimi që po kryhet përfshin rikualifikimin e rrugës”Aleksandër Goga” nga sheshi Liria deri tek “Mauzoleumi i dëshmorëve” si dhe rrugën lidhëse “Fetah Bllaca”.

Projekti parashikon krijimin e një unaze që do të lehtësojë trafikun me ndërtimin e një rrethrrotullimi në rrugën që zbret nga Biblioteka e qytetit e që lidhet me “Aleksandër Gogën”. Po kështu, projekti parashikon ndërtimin e një rruge për qarkullimin e mjeteve në segmentin “Feta Bllaca”, pas pallatit të Kulturës, në krah të Rotondës.

Firma fituese e tenderit është shpallur “Al-asphalt Shpk”, e cila zhvillon punimet me 70% të vlerës fillestare të projektit të financuar nga bashkia.

K.H.