I ftuar në emisionin "1 kafe me Labin" të dielën e 1 prillit, këngëtari i njohur për publikun shqiptar, Naim Abazi është surprizuar nga një letër e bashkëshortes, këngëtarja e mirënjohur Mihrije Braha.

Mihrija i solli bashkëshortit një letër surprizë në studio, të cilën Naimi duhet ta lexonte me zë.

"Para dy ditësh kuptova se Platori do të bëhet me vëlla, dhe ti do të bëhesh baba."- shkruante ajo.

Këngëtari mbeti i surprizuar nga ky lajm, të cilin dukshëm nuk e priste.

"Është shumë interesante sepse e kemi biseduar dhe kemi thënë s’mundet,- shprehet Naimi- është e jashtëzakonshme, nuk mund t’a përshkruaj. Nuk e di a e din Platori? S’po mundem të vij në vete."

Pas reagimit entuziast të këngëtarit, prezantuesi i emisionit, Labi, i ka treguar se data shënonte 1 prill, dhe ky ishte një rreng i bërë për të. Naimi ka filluar të qeshë i befasuar dhe me shaka shtoi:

"Po ju zbuluat diçka tjetër, që unë me Mihrijen e kemi biseduar këtë. Më keni borxh të dy."

Dy këngëtarët kosovarë janë bërë të njohur për publikun me duetin e famshëm "Kallma cigaren".