Operatorët turistikë që operojnë në plazhin e Spillesë, të mbështetur edhe nga banorët e zonës, kërkuan me anë të një proteste që qeveria të tërhiqet nga vendimi për shembjen e objekteve të ngritura përgjatë vijës bregdetare. Ata shprehen se edhe pse kanë rinovuar kontratat, inspektorë të INUK-ut i kanë lajmëruar për shembjen e lokaleve, bareve dhe restoranteve që ndërtuan dy vite më parë me pëlqimin e Ministrisë së Turizmit.
Sipas tyre, bëhet fjalë për rreth 40 objekte me strukturë druri të çmontueshme, sikurse e parashikon edhe ligji në zonat bregdetare. Operatorët shprehen se ky vendim është absurd, pasi gjithçka po ndodh në prag të sezonit turistik veror dhe ata janë bërë gati për të pritur pushuesit.
Me shembjen e objekteve të ngritura përgjatë vijës bregdetare, operatorët dhe banorët e zonës thonë se do të prishet edhe zinxhiri i punësimit. Sipas tyre, në këto 40 subjekte janë të punësuar të paktën 700 persona.
Edhe punonjësit e punësuar nga operatorët turistike, siç janë kuzhinierët apo edhe peshkatarët e zonës, e konsiderojnë të padrejtë vendimin e qeverisë për prishjen e objekteve, pasi njëkohësisht mbeten të papunë.
Banorët thonë se nuk do të lejojnë prishjen e objekteve dhe do t’i mbrojnë ato duke i përshkallëzuar protestat.
K.H.





