Një grup përfaqësues nga APD, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Afrim Bakaj, mori pjesë në Konferencën e 5-të Transport&Logjistik për Evropën Juglindore dhe Rajonin e Danubit – TIL 2018, që u zhvillua nga datat 21-23 mars në Beograd.

Kjo Konferencë, e organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastukturës së Republikës Serbe mblodhi rreth 500 pjesëmarrës, shumica prej të cilëve janë vendimmarrësit e kompanive udhëheqëse në fushën e transportit, logjistikës dhe transportit rrugor, hekurudhor, ajror dhe ujor, si dhe nga përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe asociacioneve profesionale në Evropën Juglindore dhe Danubit, Europës, Turqisë, Rusisë, Kinës, etj

Në Konferencën e 5-të e Biznesit “TIL 2018” u diskutua mbi zhvillimin e prosperitetit ekonomik përmes ndryshimeve kryesore në tregun e transportit, infrastukturës dhe logjistikës në rajonin e Danubit dhe Europës Juglindore.

Përveç seancës plenare gjatë Konferencës u zhvilluan edhe disa veprimtari paralele si Ekspozita – Panair, Takime Biznesi, Tryeza të rrumbullakta për shkëmbim përvoje, në të cilat mori pjesë aktivisht edhe grupi përfaqësues i APD.

Gjatë punimeve të panelit "Lëvizshmëria dhe Multimodaliteti – Sistemet Operacionale Portuale, Transporti Rrugor, Hekurudhor, Ajror dhe Ujor", Drejtori Ekzekutiv i APD, Afrim Bakaj, vuri theksin mbi rëndësinë e pjesëmarrjes në takime të tilla, të cilat i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit në rajon.

Z. Bakaj foli më pas për facilitetet e Portit të Durrësit dhe potencialin që ofron ky port, si dhe rolin e rëndësishëm që ai ka si pjesë e Korridorit VIII të transportit.

Në fund të Koncerencës, Autoriteti Portual Durrës u vlerësua me Çmimin “Brand Leader” per vendosjen e standardeve te larta në cilësinë e shërbimit, profesionalizmit, dhe operimit me efiçencë në fushën e transportit detar dhe shërbimet portuale në rajonin e Europës Juglindore. 

Pjesëmarrja e APD-së në këtë veprimtari ndërkombëtare është tregues i angazhimit të mëtejshëm për një komunikim të drejtpërdrejtë me audiencat e synuara nga vendi dhe rajoni, si dhe për përfitimet specifike që lidhen me pozicionin e tregut, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimet me partnerë të rinj rajonalë.