Ditën e shtunë, drejtuesit e Autoritetit Portual zhvilluan një vizitë në nëndetsen turke TCG Preveze S-353, e cila ishte ankoruar në kalatën 4 të portit më të madh të vendit.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i APD-së, Afrim Bakaj u prit në bordin e mjetit lundrues nga kapiteni i nëndetëses, Cemalettin Cem, dhe drejtues të tjerë ushtarakë nga Turqia.

Nëndetësja turke TCG Preveze S-353 zhvilloi një vizitë 4-ditore në portin e Durrësit, në zbatim të planit të bashkëpunimit midis Forcës Detare shqiptare dhe asaj të Turqisë.

Gjatë qëndrimit në vendin tonë, ushtarakët e saj zhvilluan vizita në bashki dhe prefekturë, ndërsa nëndetësen e vizituan personalitete ushtarake dhe politike, si dhe qytetarë të ndryshëm nga Durrësi.

Nëndetësja turke TCG Preveze S-353 vjen për herë të dytë në portin më të madh të vendit tonë, pas vizitës së shtatorit 2015.