Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo. Në vendimin e dhënë këtë të premte, Komisioni arsyetoi se Lulo nuk arsyeton burimin e pasurisë së tij.
Dy ditë më parë, nëpërmjet avokatit të tij, Lulo ka dhënë përgjigje për paratë dhe pronat që zotëron.
Në fokus të kësaj seance ishte pikërisht verifikimi i burimit të pasurive të tij, që bazuar në raportin e ILDKPK, ai është zotërues i një apartamenti te ‘Rruga e Durrësit’, e fituar me kontratë dhurimi, një zyrë, sipas deklarimit të tij e dhuruar me vlerë 100 mijë dollarë.
Gjithashtu, gjyqtari Lulo zotëron një banesë në Kanada dhe një depozitë bankare prej 480 mijë dollarësh.
I njëjti proces do të zbatohet edhe për gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë. Ligji parashikon që gjyqtarët dhe prokurorët që nuk justifikojnë dot pasuritë, përjashtohen nga sistemi.





