Në dy muajt e parë të vitit 2018 nga anijet dhe tragetet janë përpunuar mbi 360 mijë ton mallra importi. Shifra është 28 përqind më e lartë se sa ajo e regjistruar në janar-shkurt 2017.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, materialet e ndërtimit, si xhamat, llamarina, hekuri dhe çimento zënë vendin e parë në mallrat e importit të përpunuara gjatë periudhës janar-shkurt të vitit 2018.
Po ashtu rritje kanë patur edhe plehu kimik, blloqet e mermerit, melamina për industrinë e mobiljeve dhe tubat.
Gjatë dy muajve të parë të këtij viti në portin më të madh të vendit janë shkarkuar 28 mijë ton llamarinë, 11.5 mijë ton çimento, 7.6 mijë ton xhama, mbi 8 mijë ton hekur për ndërtim.
Në të njejtën periudhë janë shkarkuar edhe 8.5 mijë ton melaminë, afro 18 mijë ton skrap, afro 21 mijë ton qymyr koks, etj.
Gjatë dy muajve të parë të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 90 anije dhe 147 tragete, me afro 614 mijë ton mallra import-eksporti gjithsej.