Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në fjalën e tij në Kuvend ka përkujtuar 26 viktimat e tragjedisë së Gërdecit e ndodhur më 15 mars 2008.
Balla evidentoi mungesën e ish-kryeministrit Sali Berisha në Kuvend, i cili sipas tij është përgjegjës për tragjedinë e rëndë ku një fshat i tërë u hodh në erë. Sipas tij, Berisha nuk është lejuar nga Basha të shkojë në Kuvend, pikërisht se seanca përkon me 10 vjetorin e Gërdecit.
"Një përkujtim në memorie të 26 të vrarëve në Gërdec, bëhen 10 vite nga dita që shteti hidhte në erë një fshat të tërë, e ku përgjegjësia penale e atij krimi e tragjedie të rëndë nuk është bërë. Ju që ikni ng salla sa herë që në sallë thuhen të vërteta, Lulzim ke bërë mirë që nuk e ke lejuar Saliun të vinte në sallë se do ishte një tjetër provokim i rëndë për pamundësinë që drejtësia të kishte bërë detyrën. Tragjedia dhe krimi i Gërdecit duhet hetuar deri në fund për të gjithë fajtorët, për 26 jetët e humbura e pronat e shkatërruara. Duhet të vihet aty ku i takon dhe fajtorët të shkojnë aty ku u takon", u shpreh Balla.





