-Një portret i pneumologut, studiuesit dhe humanistit që e ka kthyer përgjegjësinë mjekësore në mision njerëzor

Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Aty ku deti mëson njeriun të marrë frymë

Durrësi është qytet, që nuk të lejon të jetosh larg detit. Edhe kur largohesh prej tij. Edhe kur vitet të çojnë në rrugë të tjera edhe kur puna të vendos në qytet tjetër, deti mbetet diku brenda teje, si kujtim i pafshirë. Duket si horizont që nuk soset dhe si frymëmarrje e gjatë, që vjen nga thellësia e Adriatikut, për të prekur bregun, rrugët, shtëpitë dhe njerëzit e këtij qyteti të lashtë. Durrësi nuk është vetëm porti, plazhi, Është edhe ajri, kripa e detit, hapësira e pafund e horizontit dhe një natyrë, që pa e kuptuar, i mëson njeriut të jetojë me frymën e hapur.

Kur mendon për një durrsak, që ka zgjedhur si profesion mjekësinë e frymëmarrjes, të duket sikur ka diçka më shumë se rastësi në këtë lidhje. Doktor Serxho Golgota, vjen nga një qytet ku deti është gjithmonë pranë dhe ku ajri duket sikur ka histori të vetën. Rruga profesionale e ka çuar pikërisht tek mushkëritë, tek fryma, tek organi që e kthen ajrin në jetë.

Ka një bukuri të veçantë në këtë përkim. Durrësi i detit dhe Serxho Golgota i frymës. Njëri e ka përditë horizontin të hapur përpara syve, tjetri e ka zgjedhur frymën njerëzore si horizontin e profesionit . Njëri jeton pranë Adriatikut, tjetri punon pranë atyre mushkërive ku ajri hyn e del, ku jeta matet në ritmin e një frymëmarrjeje dhe ku çdo vështirësi në marrjen e saj, mund të shndërrohet në ankth, frikë dhe pasiguri.

Në Durrës, deti ka qenë gjithmonë më shumë se pamje. Ka qenë pjesë e mënyrës së jetesës, e karakterit, e kujtesës dhe e vetë natyrës së qytetit. Durrsaku e njeh erën e detit. E dallon kur ajo ndryshon. E ndjen lagështirën në mëngjes. E shikon dritën e diellit të thyhet mbi ujë. Ka mësuar që nga fëmijëria, atë marrëdhënie të çuditshme me horizontin, ku sytë kërkojnë largësinë dhe shpirti gjen një lloj qetësie. Në këtë qytet, natyra nuk është dekor, por pjesë e përditshmërisë.

Kjo e bën më tërheqëse rrëfimin për një djalë durrsak, që pasi kaloi hapat e parë të profesionit si mjek i përgjithshëm në qytetin e tij, zgjodhi të thellohej në pneumologji dhe ta ndërtonte karrierën në një prej qendrave më të rëndësishme shqiptare të sëmundjeve pulmonare. Serxho Golgota, i biri i Alfred Golgotës, është prej atyre njerëzve, që e kanë marrë me vete qytetin e lindjes edhe atëherë, kur puna i ka çuar larg tij. Vendlindja nuk është vetëm adresa ku ke lindur, por edhe ajri që ke thithur, deti që ke parë, rrugët ku ke ecur, njerëzit që ke njohur dhe ajo mënyrë e veçantë, me të cilën një qytet të mëson të shohësh botën.

E ndërsa sot e gjejmë në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, në mjedis ku sëmundjet e mushkërive kërkojnë dije, përvojë, përqendrim dhe përgjegjësi të jashtëzakonshme. Kjo është pika, ku deti i Durrësit takohet me mjekun e frymës. Deti të mëson hapësirën. Mjekësia të mëson përgjegjësinë. Deti të mëson durimin. Mjekësia të mëson përkushtimin. Deti të jep horizont. Mjekësia të kërkon të shohësh përtej simptomës. Dhe mes tyre në një vijë të padukshme, që nis nga brigjet e Durrësit dhe përfundon në dhomat e një spitali, ku çdo frymë ka rëndësinë e vet, qëndron figura e doktor Serxho Golgotës.

Sepse mjeku pneumolog, nuk punon vetëm me mushkëritë. Punon me frymën dhe fryma është ndoshta gjëja më e padukshme, që e mban jetën të dukshme. Njeriu nuk e mendon kur është mirë. E merr ajrin natyrshëm, siç merr detin qyteti i Durrësit çdo mëngjes. Por kur fryma vështirësohet, çdo gjë ndryshon. Ecja bëhet më e ngadaltë, nata më e gjatë, ankthi më i madh dhe familja fillon të dëgjojë me vëmendje çdo kollë, çdo gulçim, çdo ndryshim në ritmin e frymëmarrjes.

Atëherë shfaqet mjeku. Dhe mjeku duhet të ketë, jo vetëm dijen për të kuptuar sëmundjen, por edhe njerëzoren, për të kuptuar frikën e atij që ka përballë. Këtu fillon portreti i Serxho Golgotës. Mjek i dalë nga Durrësi i detit, i formuar në rrugën e vështirë të mjekësisë, i orientuar drejt pneumologjisë, i lidhur me kërkimin shkencor dhe mësimdhënien, por që përtej titujve dhe dokumenteve profesionale, ka edhe tjetër pasuri, atë që nuk shkruhet në asnjë jetshkrim. Ka aftësinë për ta parë pacientin si njeri, përpara se ta shohë si diagnozë.

Nuk mjafton të dish, nuk mjafton të kesh diplomë, nuk mjafton të zotërosh teknikën, madje nuk mjafton as të jesh i aftë, përballë një sëmundjeje të vështirë, nëse pas gjithë kësaj, nuk ke atë cilësi të padukshme, që e bën pacientin të ndjehet njeri përpara se të ndjehet i sëmurë. Ky pneumolog, e ka lidhur emrin profesional me kërkimin shkencor, me zhvillimin e vazhdueshëm të dijes dhe me atë marrëdhënie njerëzore, që përtej analizave, radiografive, bronkoskopive dhe protokolleve mjekësore, mbetet gjithmonë zemra e profesionit.

Serxho Golgota, e ka ndërtuar karrierën në këtë terren të ndërlikuar, ku shkenca duhet të ecë krah për krah me durimin, ku diagnostikimi kërkon saktësi, ku një simptomë mund të fshehë pas vetes një sëmundje serioze dhe ku pacienti, përpara se të kërkojë recetën, kërkon një njeri të cilit t’i besojë.

Rruga drejt mjekësisë pulmonare

Serxho Alfred Golgota, është lindur më 30 korrik 1986. Rruga profesionale, nuk ka qenë vijë e prerë që në ditën e parë, por proçes formimi, kërkimi dhe orientimi drejt një fushe gjithnjë e më të specializuar të mjekësisë. Dokumentet profesionale të viteve të para, e evidentojnë si mjek të përgjithshëm në Qendrën Shëndetësore numur 7 në Durrës. Kjo e dhënë ka rëndësinë e vet. Para se të bëhej pneumologu i njohur në mjedisin universitar dhe spitalor, Golgota kaloi nëpër përvojën e mjekut, që përballet drejtpërdrejtë me problemet e përditshme të njerëzve.

Është shkollë më vete të jesh mjek i përgjithshëm. Aty pacienti, nuk vjen gjithmonë me një diagnozë të gatshme, nuk vjen me një emër sëmundjeje të shkruar në një fletë dhe as me një rrugë të përcaktuar se ku duhet të shkojë. Vjen me një dhimbje, një kollë, një temperaturë, një lodhje, një frikë, një shqetësim, që ndonjëherë as vetë nuk di ta shpjegojë. Mjeku duhet të dëgjojë, të pyesë, të vëzhgojë dhe të dallojë shenjën e vogël, që mund të çojë drejt problemit të madh.

Kjo përvojë e hershme në Durrës, është pjesë e rëndësishme e formimit profesional. Më pas mori drejtimin e pneumologjisë, specialitetit që do të bëhej fusha kryesore e veprimit. Në listën e kandidatëve për specializim, emri i Serxho Golgotës figuron me pneumologjinë ndër zgjedhjet e tij profesionale.

Nga mjeku i përgjithshëm që shërbente në Durrës, nisi të hyjë më thellë në botën e sëmundjeve pulmonare. Diagnostikimi shpesh kërkon bashkimin e shumë të dhënave. Mushkëria mund të preket nga sëmundje të drejtpërdrejta, nga infeksione, nga proçese tumorale, nga sëmundje autoimune, nga faktorë të jashtëm dhe nga një mori gjendjesh të tjera, që kërkojnë njohuri të thelluara dhe përvojë klinike. Serxho Golgota, është pneumolog në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.

Në dhomën ku fryma kërkon shpresë

Spitali i mushkërive “Shefqet Ndroqi”, është një prej atyre vendeve, ku mjeku nuk përballet vetëm me diagnozën, por me varg të tërë historish njerëzore, që hyjnë çdo ditë nga dera e spitalit. Në një institucion të tillë, pneumologu jeton vazhdimisht në kufirin mes normales dhe alarmit. Një kollë, mund të jetë shqetësim i zakonshëm. Por mund të jetë edhe sinjali i parë i një sëmundjeje të rëndë.

Një vështirësi në frymëmarrje, mund të jetë kalimtare. Por mund të jetë edhe shenjë e një gjendjeje, që kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Një dhimbje në kraharor, mund të ketë shumë shpjegime. Dhe mjeku duhet të gjejë atë, që nuk duket në shikim të parë. Kjo është arsyeja, pse pneumologjia kërkon jo vetëm dije, por edhe vigjilencë profesionale. Doktor Golgota është pjesë e këtij realiteti.

Mjekësia nuk matet vetëm me vendin ku punon. Matet me mënyrën se si punon. Dhe këtu hyn ajo, që do ta quaja humanizimi i profesionit. Pacienti që hyn në një spital të mushkërive, nuk është vetëm një kartelë. Është një njeri, që mund të ketë frikë. Mund të ketë familje. Mund të ketë fëmijë. Mund të ketë netë pa gjumë. Mund të ketë kaluar orë të tëra, duke menduar për një përgjigje ekzaminimi. Mund të ketë dëgjuar fjalën “mushkëri” dhe të ketë menduar menjëherë për skenarin më të keq.

Këtu mjeku, bëhet edhe psikolog i dhimbjes së tjetrit. Një mjek i mirë, e di se jo çdo pacient ka nevojë vetëm për ilaçe. Ndonjëherë ka nevojë për qetësi. Për shpjegim. Për një fjalë. Për një telefonatë. Për atë ndjesinë, se dikush nuk e ka harruar sapo ka dalë nga dera e spitalit.

Nëse do të kërkonim një fjalë, për ta përmbledhur mjekësinë e Serxho Golgotës, do të mund të ndaleshim tek fjala përkushtim. Por përkushtimi i vërtetë nuk është deklaratë. Duket në mënyrën se si mjeku i qaset pacientit. Duket në kohën që i kushton. Duket në pyetjet që bën. Duket në mënyrën, se si kërkon një shpjegim tjetër, kur përgjigjja e parë nuk mjafton.

Duket edhe në atë telefonatë pas daljes nga spitali, kur pacienti mendon se historia e tij mjekësore ka përfunduar, ndërsa mjeku e kujton dhe e pyet: “Si je? A je më mirë?” Ky është një gjest i vogël. Por gjestet e vogla janë ato, që shpesh e tregojnë madhështinë e një profesioni. Sepse receta mund të harrohet. Një emër ilaçi mund të harrohet. Një ekzaminim mund të zbehet në kujtesë. Por njeriu rrallë harron mjekun, që e ka bërë të ndihet i sigurt, në një moment kur kishte frikë.

Dhe këtu portreti i doktor Golgotës, del përtej kufijve të profesionit. Bëhet portret i një marrëdhënieje. Mjeku dhe pacienti. Dija dhe besimi. Shkenca dhe humanizmi. Teknika dhe fjala.

Shkenca rruga tjetër e karrierës

Do të ishte e padrejtë, që Serxho Golgotën ta shikojmë, vetëm nga marrëdhënia me pacientët. Pas figurës së mjekut që dëgjon, që shpjegon dhe që kujdeset, qëndron një tjetër Serxho, studiuesi. Emri i tij, gjendet në një sërë punimesh shkencore dhe në veprimtaritë e kongreseve profesionale shqiptare e ndërkombëtare, ku temat nuk janë vetëm përshkrime teorike. Ato lidhen fort edhe me probleme konkrete të diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjeve pulmonare.

Në punimet ku ka marrë pjesë, janë trajtuar fusha si aspergilloza pulmonare, embolia pulmonare, patologjitë pleurale, hemoptizia, sëmundjet pulmonare obstruktive kronike, cilësia e gjumit tek pacientët me SPOK (Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike), biopsia transbronkiale dhe diagnostikimi i lezioneve endobronkiale. Këto nuk janë tema, që kalohen me lexim të shpejtë. Secila prej tyre, kërkon përvojë klinike, njohje të literaturës, analizë të rasteve dhe bashkëpunim me kolegë të disiplinave të ndryshme.

Në një prej punimeve shkencore, doktor Golgota është bashkautor i studimit, mbi biopsinë pulmonare në diagnostikimin e sëmundjeve intersticiale të mushkërive, ku trajtohet një rast i granulomatozës me poliangit dhe vështirësitë, që mund të paraqiten në dallimin e dëmtimeve pulmonare nga patologjitë e tjera. Në tjetër punim të vitit 2026, emri i tij shfaqet në studimin mbi analizën e gazrave të gjakut arterial, si tregues prognostik në embolinë pulmonare akute.

Studim tjetër i kohëve të fundit, ku është bashkautor, është përqendruar në pyetjen nëse ekografia transtorakale, mund të ndihmojë në parashikimin e malinjitetit në efuzionin pleural. Studimi përfshiu pacientë me efuzion pleural të padiagnostikuar dhe analizoi disa cilësi ekografike në raport me diagnozën citologjike.

Kjo është pjesë e rëndësishme e portretit të Serxho Golgotës. Mjeku që nuk studion, mbetet i lidhur vetëm me atë që di. E kundërta e shtyn dijen përpara. Në Kongresin 16-të Mbarëkombëtar të Pneumologjisë Shqiptare, emri i doktor Serxho Golgotës, shfaqet në disa prej punimeve që lidhen me diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive pulmonare. Ndër to është edhe përvoja në diagnostikimin me biopsi transbronkiale, të një rasti me proteinozë alveolare.

Çfarë do të thotë kjo për kureshtarët? Do të thotë se mjekësia moderne, nuk kënaqet gjithmonë me atë që sheh në sipërfaqe. Ndonjëherë duhet hyrë më thellë. Duhet marrë materiali i duhur. Duhet analizuar. Duhet lidhur me shenjat klinike. Duhet interpretuar në dritën e gjithë historisë së pacientit. Pneumologjia moderne, është kombinim i përvojës së mjekut dhe teknologjisë diagnostikuese.

Bronkoskopia, biopsia, ekografia, imazheria dhe analizat laboratorike, nuk janë qëllim në vetvete. Janë mjete, që i japin mjekut mundësinë të afrohet më shumë tek e vërteta e sëmundjes. Dhe aty qëndron përgjegjësia. Diagnoza nuk është një fjalë që shkruhet në kartelë. Pas saj qëndron një njeri.

Nga COVID -19-të tek sfidat e mjekësisë së re

Pandemia e COVID-19-të, ishte prej provave më të mëdha që kaloi mjekësia shqiptare dhe mbarë bota. Ndërsa “Shefqet Ndroqi” u gjend në qendër të një beteje, ku mushkëritë e pacientëve u kthyen nga fushat kryesore të përballjes me sëmundjen. Në këtë realitet, Serxho Golgota ka qenë pjesë e punës shkencore, që ka analizuar edhe rolin e sëmundjeve shoqëruese në vdekshmërinë nga COVID-19-të, sipas grupmoshave dhe valëve epidemike, duke u mbështetur në rastet e pacientëve të shtruar në “Shefqet Ndroqi” gjatë viteve 2020–2023.

Pas një krize të tillë, mjekësia nuk del e njëjtë. Mjeku fiton përvojë të re. Shkenca fiton të dhëna të reja. Pacienti fiton mjekun, i cili ka parë nga afër atë që librat, nuk mund ta tregojnë të gjithën. Është kjo, prej vlerave të punës kërkimore. Ajo kthehet në mësim. Në protokoll. Në kujdes. Në përvojë.

Ka tjetër dimension të profilit së Serxho Golgotës, që meriton vëmendje. Është lidhja me mësimdhënien dhe formimin e brezit të ri. Lidhet me Universitetin e Mjekësisë në Tiranë në rolin e pedagogut të Farmakologjisë Klinike, duke e shtrirë kështu veprimtarinë e tij përtej shërbimit spitalor. Dhe kjo është përgjegjësi tjetër. Të jesh mjek, do të thotë të kujdesesh për pacientin. Të jesh pedagog, do të thotë të kujdesesh edhe për mjekun e ardhshëm.

Një student që ulet përpara pedagogut, nesër mund të jetë ai, që do të mbajë stetoskopin përpara pacientit të frikësuar Ësht ai, që do të shkruajë një recetë. Është ai, që do të marrë një vendim klinik. Është ai, që do të duhet të dallojë shenjë të rrezikshme nga një shqetësim i zakonshëm. Dija e mjekut, nuk është pronë personale. Duhet të përcillet. Duhet të mësohet. Duhet të diskutohet. Duhet të vihet në provë. Mjeku që e ndan dijen me studentët, e kupton se profesioni nuk mbaron me veten. Vazhdon tek brezat.

Njeriu para mjekut dhe emri i Alfred Golgotës

Është shumë e lehtë të shkruash për një mjek, duke renditur titujt, specialitetin, institucionin, kongreset, publikimet dhe temat shkencore. Portreti i vërtetë, duhet të kërkojë edhe atë që nuk shkruhet në sivi. Njeriun. Dhe njeriu Serxho Golgota, duket pikërisht në marrëdhënien me pacientin. Është mjek në momentin kur ekzaminon. Por është edhe mjek kur dëgjon. Është mjek kur shpjegon. Është mjek kur qetëson. Është mjek kur ndjek një rast. Është mjek edhe atëherë, kur telefoni bie pas vizitës dhe pyet pacientin nëse është më mirë.

Kjo e fundit është domethënëse. Sepse mjeku, mund ta konsiderojë punën të përfunduar, në çastin kur pacienti del nga spitali. Por njeriu i përkushtuar, nuk e mbyll aq lehtë derën. Në mendjen e tij mbetet rasti. Mbetet fytyra. Mbetet diagnoza. Mbetet pyetja: si po shkon? Dhe kur kjo pyetje bëhet pa interes tjetër, është më shumë se një detyrë profesionale. Është humanizëm.

Në jetën e një njeriu, ka edhe trashëgimi tjetër, që nuk matet me diploma. Është trashëgimia familjare. Serxho Golgota është i biri i Alfred Golgotës, figurës së njohur të mbrojtjes së rendit dhe jetës së qytetarëve. Është vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe që nuk jeton.. Një baba i njohur, sjell gjithmonë me vete peshë të padukshme mbi supet e djalit. Njerëzit të shohin edhe përmes emrit të familjes.

Por djali, duhet të ndërtojë emrin e vet. Dhe Serxho e ka ndërtuar atë në një fushë, ku nuk ka shumë hapësirë për privilegjin e mbiemrit. Në mjekësi të vlerëson puna. Të vlerëson pacienti. Të vlerëson kolegu. Të vlerëson rezultati. Të vlerëson edhe ajo natë, kur një familjar të telefonon me ankth dhe pret prej teje një përgjigje. Kështu emri Golgota, nuk është vetëm trashëgimi. Është edhe përgjegjësi, për të krijuar kapitull të ri. Dhe ky kapitull, mban emrin e Serxhos

Kur një mjek kujton emrin e pacientit

Në fund të një shkrimi për një mjek, mund të rendisësh shumë gjëra. Mund të thuash se ku ka studiuar. Mund të tregosh specialitetin. Mund të numërosh kongreset. Mund të përmendësh publikimet. Mund të flasësh për kërkimet. Mund të shkruash për spitalin ku punon. Mund të rendisësh titujt. Por besoj se një mjek, nuk mbetet gjatë në kujtesën e njerëzve, vetëm për ato që shkruhen në një dokument. Mbetet për atë që ka bërë, kur një njeri ka pasur nevojë për të.

Dhe këtu kthehemi tek fillimi. Tek fryma. Ajo gjë e padukshme, që njeriu e merr mijëra herë në ditë dhe që vetëm kur rrezikohet, e kupton se sa e shtrenjtë është. Pneumologu punon pikërisht, me këtë mrekulli të heshtur. Me ajrin. Me mushkëritë. Me bronket. Me frymën. Por përtej gjithë kësaj, punon me frikën e njeriut. Dhe ky është misioni më i madh. Pacienti mund të hyjë në spital me një shqetësim në mushkëri, por bashkë me të sjell edhe një botë të tërë emocionesh.

Mjeku duhet ta trajtojë sëmundjen. Por duhet të mos harrojë njeriun. Serxho Golgota e ka kuptuar këtë ekuilibër. Nga mjeku i përgjithshëm i viteve të para në Durrës, tek pneumologu i “Shefqet Ndroqit”. Nga praktika klinike, tek kërkimi shkencor. Nga pacienti tek studenti. Nga kongresi tek kartela mjekësore. Kështu ka ndërtuar rrugëtim, ku dija dhe përgjegjësia ecin bashkë. Dokumentet dhe punimet shkencore të viteve të fundit, dëshmojnë vazhdimësinë e këtij angazhimi profesional.

Doja ta mbyllja këtë portret me diçka më njerëzore. Me një telefonatë. Me një pyetje të thjeshtë: “Si je? A je më mirë?” Për mjekun është një minutë nga dita e tij. Për pacientin është shumë më tepër. Është ndjesia, se nuk është harruar. Është ndjesia, se dikush e ka mbajtur mend. Është ndjesia, se mjeku nuk e ka parë vetëm si numër kartele. E ka parë si njeri. Kjo e bën mjekësinë më të pëlqyeshme.

Shkenca shpëton jetë. Dija ndriçon diagnozën. Teknologjia hap dyer të reja. Por humanizmi i mjekut, i jep gjithë kësaj një shpirt. Serxho Golgota ka zgjedhur një profesion, ku njeriu vjen tek ai kur fryma i rëndohet. Detyra e tij është, t’i japë asaj fryme jo vetëm trajtimin që kërkon, por edhe qetësinë e duhur. Kjo është më shumë se profesion. Është përgjegjësi. Është përkushtim. Është shërbim. Është mision njerëzor.

Bujar Qesja
Durrës: 26 shtator 2026