Në dy muajt e parë të këtij viti në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar afro 614 mijë tonë mallra të ndryshme. Shifra është 31 për qind më e lartë se sa ajo e dy muajve të parë të vitit të kaluar. Në periudhën janar-shkurt të vitit 2018 në kalatat e portit të Durrësit janë përpunuar 90 anije tregtare dhe 147 tragete gjithsej.
Nga të dhënat e Sektorit të Statistikave në APD, mësohet se në dy muajt e parë të vitit 2018 janë përpunuar 146.5 mijë tonë më shumë mallra se në janar-shkurtin e vitit të kaluar.
Eksportet kanë shënuar një rritje prej 37 për qind, duke regjistruar mbi 253 mijë tonë mallra të përpunuara, ku rritjen më të lartë e shënon transporti me anije, 42 për qind më shumë se në dy muajt e parë të vitit 2017.
Ndërkohë rritja e importeve në krahasim me 2 muajt e parë 2017 arrin në 28 për qind, me një shifër të përgjithshme 2-mujore 2018, prej mbi 360 mijë tonë.