Uashingtoni ka gati një plan prej 4 pikash, që nxit njohjen përfundimtare të pavarësisë së Kosovës. Mediat serbe shkruajnë se plani i është dërguar presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe do të shqyrtohet javën e ardhshme në Beograd e Prishtinë gjatë vizitës së ndihmës-sekretarit amerikan të shtetit Ues Miçell.
Plani i hartuar nga administrata Trump është zbardhur nga e përditshmja serbe “Novosti”. Aty parashikohet që Bashkësia e Komunave serbe të marrë kompetenca ekzekutive të gjera, veçanërisht në shëndetësi, arsim e kulturë. Qeveria e Kosovës duhet të ketë një zv/kryeministër nga radhët e komunitetit serb, i cili do të ketë rolin e drejtuesit të ekzekutivit për këtë bashkësi. Në plan i bëhet thirrje Beogradit të lejojë Prishtinën të bëhet pjesë e organizmave ndërkombëtare. Nëse Serbia e pranon, vendit i hapet rruga përfundimtare për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ndërsa Shtetet e Bashkuara i garantojnë mbështetje të veçantë ekonomike e diplomatike në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht se nuk përmendet termi “Pavarësi”, plani e shtyn në njohjen de fakto të Kosovës nga Serbia. E përditshmja serbe shkruan se Uashingtoni po e ndërmerr këtë hap, pasi është i pakënaqur me ritmet e ngadalta të Brukselit në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.