*Shifra – afro 316 mijë tonë çimento për eksport në një vit
Afro 316 mijë tonë çimento për eksport janë përpunuar në portin e Durrësit gjatë vitit 2017. Shifra është 5.6 herë më e lartë se sa sasia prej mbi 56 mijë tonë, që u përpunua në portin më të madh të vendit gjatë vitit 2016.
Sipas të dhënave të sektorit të Statistikave, edhe gjatë muajit janar 2018, sasia e çimentos për eksport nga Durrësi në porte të tjera arrin në 25.632 tonë, ose 12 mijë tonë më e lartë se sa ajo e janarit 2017.
Nga Qendra e Informacionit në APD, mësohet se çimento “made in Albania” që prodhohet në fabrikat e rajonit të Fushë-Krujës është ngarkuar kryesisht në anijet “Sirios Cement 1”, Vela 1”, “Seaven Luck” dhe “Edra IV”, të cilat gjatë një viti, kanë transportuar më shumë se 90 për qind të çimentos për eksport.
Çimento e prodhuar në fabrikat pranë Fushë-Krujës dhe që shfrytëzohet për industrinë e ndërtimit i është drejtuar porteve të Margheras (Itali) dhe Maltës.