Me rastin e festës së 7 Marsit, gjatë pritjes së sotme ku u vlerësuan me medaljen e mirënjohjes mësuesit më të mirë në një ceremoni që po mbahet në Kryeministri, Edi Rama u është drejtuar me një ndjesë të thellë.

Rama bëri meaculpa duke pranuar para mësuesve për politikanët të cilët me sjelljen e tyre sidomos të enjten nuk po ndihmojnë në kultivimin e edukimit dhe të virtytit tek të rinjtë.

“Ju kërkoj ndjesë të gjithave ju, mësuesve të vendit, ndjesë të thellë dhe të vërtetë për faktin që unë dhe rraca ime e politikanëve sidomos e atyre që çdo të enjte zhvillojnë mësim në Kuvend nuk ju ndihmojmë aspak në kryerjen e misionit tuaj thelbësor që është jo vetëm të përgatisni njerëz të ditur, por të edukoni qytetarë të mirë. Jo vetëm nuk ju ndihmojmë, por akoma më keq, ju pengojmë çdo të enjte rregullisht, në kryerjen e misionit tuaj. Edhe ditët e tjera patjetër, por sidomos të enjten, shfaqja e të enjtes rrëzon të gjitha fjalët që mund të themi gjatë javës në raport me virtytet, dhuntitë e mira. Unë kam mundësinë e madhe që në ditët e tjera të javës përveç të enjtes, të laj me sa më shumë punë e kontribut në mbështetjen tuaj dhe të gjithë të tjerave mëkatet e së enjtes. Në raport me ju kemi shumë për të bërë”, iu tha Rama mësuesve.