Një grup përfaqësuesish të kompanive prodhuese nga Kroacia vizituan ditën e martë portin e Durrësit. Ata u pritën nga znj. Sonila Toska, zv.Drejtore e përgjithshme ekzekutive e APD-së, si dhe nga disa drejtues të Drejtorive dhe Sektorëve në APD.

Përfaqësuesit e biznesit kroat shoqëroheshin nga Atasheu ekonomik i Ambasadës së Kroacisë në Tiranë, Zvonko Picukariç dhe ai i Dhomës së Tregtisë së kompanive kroate në Shqipëri, Adem Zenuni.

Pas prezantimit të portit më të madh të vendit tonë, biznesmenet kroate Ivana Liposhçak dhe Ana Juraga paraqitën disa nga produktet e kompanive që drejtojnë, si dhe mundësinë e implementimit të tyre në projektet e ardhshme në portin e Durrësit.

Takimi që vijoi më shumë se një orë, nuk është i pari i këtij lloji në APD. Gjatë muajve të fundit për portin e Durrësit janë interesuar edhe kompani të tjera të huaja nga Kina, Italia, etj. përfaqësuesit e të cilave kanë zhvilluar takime pune në APD.