*Rikujtesë me foto ATSH – APD

Dy vjet më parë, Autoriteti Portual Durrës, në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare ATSH, rikthyen në vemendje një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit: eksodin me anije në Mars 1991.

Në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” Durrës nga 2-7 mars 2016, qëndroi e hapur ekspozita fotografike “Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991”, e cila ngjalli interesimin e qytetarëve durrsakë si dhe mjaft bashkatdhetarëve me punë dhe banim jashtë vendit.

Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991 u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetëra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane.

Ekspozita solli për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së Gani Xhengo, etj., kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991.

Përmes 25 fotove bardhezi, vizitorët e galerisë iu rikthyen emocioneve të 27 vjetëve më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit. Mediat italiane shkruajtën në atë kohë se në portet e Barit, Otrantos dhe Brindizit mbërritën mbi 25 mijë shqiptarë. Sipas tyre, në javën e parë të marsit 1991 brenda 30 orësh në portin e Brindizit janë ankoruar 24 mjete lundruese, me një numër të jashtëzakonshëm njerëzish.

Pamjet filmike të portit të Durrësit në mars të vitit 1991 u shfaqën në një monitor, ndërsa në pjesën tjetër të galerisë ishin ekspozuar edhe fotot e fotografit Alket Islami me pamje aktuale të portit të Durrësit.