Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë të enjten seancën plenare të mbajtur më 8 dhe 9 shkurt. Kurse, seanca për ratifikimin e demarkacionit është shtyrë për një ditë tjetër.

Sipas njoftimit nga Kuvendi, të enjten do të mbahet vazhdimi i seancës plenare me këto pika të rendit të ditës:

Interpelanca e Kryeministrit të së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së LDK-së dhe VV-së për vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar, për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e të punësuarve që marrin paga nga buxheti i vendit si dhe për vendimin për lartësinë e pagesës mujore për familjet në Skemën e Ndihmave Sociale.

Debat Parlamentar, me kërkesë të nënkryetarit të Kuvendit, Kujtim Shala dhe gjashtë deputetëve nënshkrues për Raportin e 100 ditëve të punës të Qeverisë së Kosovës.

Shqyrtimi i propozim-vendimit të qeverisë për ratifikimin e nëntë anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Votimi i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2016.

Interpelanca e kryeministrit Haradinaj, sipas kërkesës së Grupi Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me vdekjen e dhunshme të aktivistit Astrit Dehari.