Teuta arriti një fitore tejet të rëndësishme ditën e sotme, me rezultatin 1-2, në transfertën me Kamzën në kryeqytet. Ekipi i Begejas shënoi nga një gol për çdo pjesë, me Beqjan në minutën e 15-të, dhe me Latif në minutën e 78-të. Vetëm penalltia e Raçiç në fund nuk i mjaftoi ekipit të Ndreut.Në Kamëz është luajtur nën reshjet e dëborës, edhe pse terreni nuk është zbardhur dot. Ka qenë befasuese nisja e durrsakëve, në ofensivë, çka e ka vënë në vështirësi skuadrën e Ramadan Ndreut.
Teuta nuk ka çfarë humbet, ndaj luan për gjithçka, duke parë rrezikun serioz të rënies nga kategoria. Eshtë Beqaj, që përligj ngulmimin e të tijve që herët, në minutën e 15-të, kur realizon një gol të bukur në portën e Gjonikajt. Mundohen të reagojnë vendësit, por nuk janë të qartë. Krijojnë mundësi për barazim, por Plaku dhe Racic nuk gjejnë dot kuadratin e durrsakëve. Pjesën e dytë shton forca të tjera në ofensivë trajneri Ndreu, Rezin dhe Filin, me qëllim të qartë për të evituar disfatën në shtëpi. Me këtë qasje është edhe loja e Kamzës, e cila krijon epërsi territoriale. Nuk mungojnë sulmet frontale në drejtim të portës së Moçkës, por ajo mbetet e paarritshme.
Prapavija durrsake qëndron stoike në mbrojtje të golit të Beqajt, ndërkohë që “djemtë e detit” përfitojnë edhe nga situata e tensionuar te kamzalinjtë, që e kërkojnë dëshpërimisht e pa kthjelltësi barazimin, duke dyfishuar shifrat me Latif në minutën e 78-të. Racic realizoi nga penalltia në minutën e dytë të kohës shtesë, por pa evituar dot disfatën e të tijve. Tri pikë të arta të durrsakëve, që ushqejnë shpresat për mbijetesë, duke parë edhe frenimin e Vllaznisë në Laç.





