Shtyrja sërish e seancës ku pritej ratifikimi i projektligjit për demarkacionin me Malin e Zi, ka nxitur reagimin e ambasadorit amerikan ne Kosovë, Greg Delawie.
Delawie përmes një postimi në Twitter, ka kërkuar nga partitë politike që të arrijnë marrëveshje dhe sa më parë të ratifikojnë marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi.
“Tani është koha për të gjitha partitë politike të tregojnë udhëheqje. Bëni një marrëveshje që i vendos qytetarët në rend të parë. Ratifikojeni demarkacionin”, ka shkruar Delawie.
Kujtojmë se sot pas një debati të ashpër ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shefit të Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti dhe në mungesë të kompromisit është shtyrë seanca për demarkacionin për të mërkurën në ora 10:00.