Policia ka goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit, duke vënë në pranga 3 persona.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, pas një hetimi disa mujor kanë bërë të mundur dokumentimin ligjor të një rasti të shfrytëzimit të femrave për prostitucion.

U arrestuan në flagrancë shtetaset:

Vasilika L. 46 vjeçe, banuese në Gjirokastër.

E.A. 34 vjeçe, banuese në Gjirokastër.

Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi:

Vladimir Koleta, 50 vjeç, për veprën penale "Moskallëzim krimi".

Shtetësja Vasilika L., në rolin e organizatores dhe ndërmjetëses kishte një lokal në qytetin e Gjirokastrës. Ajo ndërmjetësonte me klientët që frekuentonin lokalin e saj duke siguruar lidhjet e tyre me shtetasen E.A. kundrejt shumave të ndryshme.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3000 lekë dhe 5 telefona celularë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.