Zbulohen të dhëna për vrasësin e biznesmenit 64-vjeçar, Memli Begalla. Autori mësohet se ka qenë i veshur me një xhaketë të bardhë, të mbërthyer deri te buzët, ndërsa në kokë mban një kapele duke mbuluar edhe fytyrën. Vrasësi është munduar gjatë gjithë kohës që të mbulohet për të mos u identifikuar nga kamerat e sigurisë të bizneseve përreth.
Nga kamerat e sigurisë dallohet personi që kreu vrasjen duke ecuar me hapa të lehtë pa rënë në sy. Fytyrë nuk i dallohet për shkak të xhaketës dhe kapeles. Fillimisht ai ecën në këmbë, pastaj e ndihmon një makinë për t'u larguar. Grupi hetimor ende nuk ka identifikuar targat e këtij automjeti, pasi dyshohet se ato janë të modifikuara.
Ekspertët dyshojnë se kanë të bëjnë me një vrasës me pagesë për nga mënyra se si është kryer ekzekutimi. Në vijim të hetimeve për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e autorëve dhe porositësve të krimit, janë sekuestruar kamerat e sigurisë të bizneseve pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Ndërkohë disa personave Memli Begalli u kishte borxh rreth 90 mijë dollarë. Ata kanë mohuar në polici se kanë lidhje me vrasjen. Policia liroi tre personat e ndaluar pas krimit.





