Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nën titullin “Ballkani Perëndimor merr miliarda nga BE”, nënvizon se strategjia e re për Ballkanin jep një plan të qartë kohor dhe do t’i kushtojë shumë shtrenjtë unionit. “Komisioni propozon rritjen e ndihmave të anëtarësimit dhe të përfarimit me BE deri në vitin 2020. E paqartë mbetet se për çfarë shumash bëhet fjalë. Deri më tani ishin planifikuar për Ballanin Perëndimor nga viri 2018-2020 1,7 miliardë euro. Në dokumentin strategjik bëhet fjalë se 1,07 miliardë janë në plan vetëm për vitin 2018, kështu që tani mbetet vetëm të rriten shumat e 600 milionë eurove të mbetura për vitin 2019 dhe 2020.”
FAZ sheh me sy kritik paratë që BE derdh në Ballkan. “Kaq shumë para derdhen në Ballkanin Perëndimor për forcimin e administratës, shtetit ligjor, ekonomisë së qëndrueshme dhe demokracisë e mirëqeverisjes. Por janë pikërisht këto fusha, ku Komisioni shikon deficitet më të mëdha, megjithë ndihmat miliardëshe prej vitesh.”
Ndërsa gazeta gjermane “tageszeitung” i kushton vëmendje perspektivës më të qartë kohore të integrimit të Serbisë në BE. taz thekson se Brukseli dhe Berlini mendojnë se Serbia është një faktor stabiliteti në Ballkan, por e kundërta është e vërtetë.”Serbia dhe Mali i Zi do të mund të pranohen në vitin 2025. Po pse pikërisht vendet ku fjalën e kanë BE dhe institucionet ndërkombëtare janë të fundit në radhë? Në Kosovë dhe në Bosnje ka një administratë ndërkombëtare, polici ndërkombëtare, misione të shtetit ligjor, trupa ndërkombëtare. Pikërisht që këto shtete janë të fundit në radhë dhe kosovarët ende duhet të marrin vizë për në BE, është një dështim i paparë.”
taz nënvizon se luftën kundër korrupsionit nuk e ka fituar njeri, dhe se të rinj të shkolluar largohen nga Ballkani për të ndërtuar një jetë të re në Gjermani, Austri, vendet skandinave dhe shtron pyetjen se “pse nderon kancelarja Merkel njeriun e fortë të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që e ka kthyer Serbinë në një “demokraturë”, që refuzon përballjen me krimet e përgjakshme të viteve 90-të?” “Me sa duket ende ekziston përfytyrimi i gabuar, se Serbia është një faktor stabiliteti në Ballkan. Por nga koha e Millosheviçit në vitin 1991 duhej të dihej ndërkohë, se e kundërta është e vërtetë. Serbia nuk ka hequr dorë nga rifitimi i Kosovës, dhe ndarjen e Bosnje-Hercegovinës përgjatë linjës së frontit të vitit 1995…”
Ndërsa gazeta zvicerane, nën titullin “Sherifë të rinj për veriun e egër të Kosovës“, nënvizon se në pjesën serbishtfolëse të vendit, Beogradi i ka vënë nën kontroll politikanët dhe përdor për këtë partnerë të dyshimtë. “Presidenti Vuçiç është i vendosur për procesin e normalizimit dhe ta dorëzojë këtë rajon në sistemin kosovar. Por kjo nuk do të thotë fund të influencës serbe -përkundrazi. Përmes partisë së unitetit të kontrolluar nga Beogradi, ai i kontrollon të gjitha rajonet me serbë. Në vend që të mbeten të varur nga shteti serb, subvencionimi do të bëhet në bazë të së drejtës kosovare përmes asociacionit të komunave serbe, të cilin e financon Beogradi.”/DW