Manchester City i ka rrëshkitur në fund fitorja ndaj Burnely, teksa sfida e parë e javës së 26-të është mbyllur me barazimin 1-1. Ndeshja, ashtu siç pritej, u dominuta thuajse plotësisht nga vizitorët të cilët që në minutat e para u shfaqën rrezikshëm në gjysmëfushën kundërshtare me treshen De Bruyne-Aguero-Sterling. Por goli i avantazhit erdhi nga prapavija e Qytetarëve.

Pas një goditje këndi, Bernardo Silva pason te Danilo i cili nga distanca lëshon një goditje të bukur plot ndjenjë duke shënuar një gol fantastik. City nuk e uli ritmin dhe vazhdoi të sulmonte duke krijuar mundësi të tjera me Sterling dhe Gundogan, por edhe vendasit pas golit të pësuar guxuan të dilnin më shumë përpara dhe ishte Ederson ai që shpëtoi një gol thuajse të sigurt pas goditjes së Ben Mee nga brenda zonës.

Pas pushimit ishte e njëjta histori, City sulmon pa pushim por nuk arrin të shfrytëzojë më së miri shanset e krijuara me Sterling apo Aguero, ishte gjithmonë pasimi i fundit ai që nuk po finalizohej nga të besuarit e Guardiola-s. Një gabim fatal, pasi Burnley është një skuadër që nuk e humb shpresën asnjëherë dhe në minutën e 82’ vjen goli i barazimit me Johann Berg Gudmundsson. Një goditje e bukur nga pas shpine të Walker barazon gjithçka në Turf Moor.

Me minutat në dispozicion që nuk ishin shumë, City insistoi të rifitonte avantazhin por ishte e pamundur, dhe duhet të kënaqet me një pikë në fund, që gjithsesi nuk është një rezultat edhe aq i keq duke parë forcën që ka Burnley ndaj skuadrave të mëdha në Turf Moor.