Është dashur ndërhyrja e policisë për të parandaluar një konflikt të rëndë në familje i cili mund të kishte një fund tragjik.

Një 59-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga policia e Dibrës, pasi ushtronte dhunë ndaj bashkëshortes dhe djalit të tij, duke i kanosur me armë gjahu.

Arma e gjahut është sekuestruar me 2 fishekë nga efektivët e policisë, të cilën Elez Mera e mbante pa lejen e organeve kompetente.

NJOFTIMI I PLOTË

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
Elez Mera, 59 vjeç, banues në fshatin Lishan i Poshtëm, Luzni, Dibër.

Pas një  informacioni të marrë se në fshatin Lishan i Poshtëm po ndodhte një konflikt në familje, nga strukturat e policisë së Dibrës, është organizuar  menjëherë puna ku falë veprimeve të shpejta dhe profesionale kanë ndërhyrë duke parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale, ku kanë konstatuar se shtetasi Elez Mera, po ushtronte dhunë  ndaj bashkëshortes shtetases D.M, 58 vjeçe dhe djalit të tij K.M,  29 vjeç, duke i kanosur në mënyrë serioze për jetën nëpërmjet një arme gjahu.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e gjahut tip TEKE, me dy fishek, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente.

Në fund të veprimeve hetimore u bë arrestimi i shtetasit E.Mera, dhe matetialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale të “Dhunës në familje” të parashikuar nga neni 130/2 të Kodit Penal dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”,  të parashikuar nga neni 280 të Kodit Penal.