Ish-deputeti i Durrësit dhe kryetari i PAA-së, Agron Duka ka përsëritur edhe njëherë apelin për t’iu bashkangjitur protestës së të shtunës.
Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Duka ka theksuar se ditën e nesërme do të protestojë si prind.
“Për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që janë larguar dhe po largohen nga Shqipëria. Ashtu si unë, mijëra prindër do të jenë nesër në shesh, bashkë do të kthejmë shpresën për fëmijët dhe familjet tona”,- shkruan Duka.
Nga Agron Duka
Gjashtë muaj kanë kaluar nga zgjedhjet e përgjithshme; dhe, ndonëse numrat në Parlamentin e Shqipërisë flasin për një mazhorancë të fortë, kjo nuk po pasqyrohet në asnjë akt politik që të tregojë se qeveria është në funksion të qytetarëve.
Përtej fasadave, lajleluleve mediatike, këto gjashtë muaj tregojnë se jemi përballë një qeverie të fjetur, të orientuar ndaj vetes dhe interesave të saj.
Në këto raste është detyra jonë morale të tregojmë edukatën e protestës; të kërkojmë zgjidhje dhe mbi të gjitha të mblidhemi si qytetarë të lirë për të ekspozuar mashtrimet dhe premtimet e pambajtura.
Arsyet për të protestuar janë të shumta, dhe heshtja përballë kësaj situate do të sillte pasoja të frikshme. Ekonomia, krimi, korrupsioni, por jo vetëm.
Unë nesër nuk do të protestoj thjesht si politikan, ose si Kryetar i Partisë Agrare Ambientaliste, nesër do të protestoj si prind.
Nesër në orën 12:00 do të jem në Bulevard për të gjthë të rinjtë dhe të rejat që janë larguar dhe po largohen nga Shqipëria.
Ashtu si unë, mijëra prindër do të jenë nesër në shesh, bashkë do të kthejmë shpresën për fëmijët dhe familjet tona.
Nesër, të gjithë bashkë, duhet t’i japim një sinjal kësaj mazhorance arrogante; të gjithë bashkë do të ngrihemi e do të themi me një zë që kjo nuk është Shqipëria që duam.
Ejani nesër t’i kujtojmë mazhorancës se ky vend ka zot, ejani t’i kujtojmë qeverisë se të zotët e këtij vendi nuk janë kriminelët, të korruptuarit, trafikantët, hajdutët, koncesionarët, por qytetarët e ndershëm që kërkojnë një qeveri të ndershme.