Policia ka arrestuar ditën e sotme një 53-vjeçar në qytetin e Fierit, pasi tentoi të vidhte banesën e një të moshuari, e dhunoi dhe më pas e kërcënoi me thikë. I arrestuari është 53-vjeçari Pajtim Dhana.

Më 18.04.2026, ai është  futur i maskuar në banesën e një të moshuari, në fshatin Pishë Poro, dhe e ka kërcënuar me thikë dhe e ka dhunuar. Synimi i tij ishte të vidhte një sasi parash, por ka dalë nga banesa pa i marrë ato. Ai është shoqëruar drejt ambienteve të komisariatit, ndërsa policia po heton më shumë mbi rastin.

Njoftimi i policisë

Fier/ Tentoi të vidhte para në banesën e një të moshuari, të cilin e dhunoi dhe e kanosi me thikë, kapet dhe vihet në pranga 53-vjeçari në kërkim. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, si rezultat i kontrolleve intensive dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin:

-P. Dh., 53 vjeç, banues në fshatin Pishë Poro, Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se në orët e para të datës 18.04.2026, është futur i maskuar në banesën e një të moshuari, në fshatin Pishë Poro, e ka dhunuar dhe kanosur me thikë atë, që t’i vidhte një shumë parash, por është larguar pa vjedhur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, mbetur në tentativë.